Zgjedhjet afatmesme në SHBA, urdhërohet rinumërim i votave në Florida

Sekretari i Shtetit në Florida ka vendosur rinumërim elektronik të votave për shkak të diferencës së ngushtë mes kandidatëve.

Sipas ligjit zgjedhor të Floridës, nëse diferenca mes kandidatëve është më e vogël se 0.5 për qind e votave, atëherë mund të kryhet rinumërimi elektronik.

Në zgjedhjet për Senatin në Florida, kandidati republikan Rick Scott ka një epërsi prej 0.15 për qind të votave ndaj rivalit të tij demokrat Bill Nelson. Ndërsa, në garën për guvernator, kandidati republikan Ron DeSantis ka një epërsi prej 0.4 për qind ndaj rivalit të tij demokrat Andreë Gillum. Zyrtarët kanë afat deri të enjten për të përfunduar rinumërimin elektronik të votave.

Kandidati republikan Rick Scott i akuzoi gjatë javës demokratët se po bëjnë përpjekje për t’i vjedhur zgjedhjet. Presidenti Trump gjithashtu komentoi mbi zgjedhjet në Florida para se të nisej për në Francë, duke akuzuar demokratët se po përpiqen të vjedhin zgjedhjet. Trump gjithashtu njoftoi se do të dërgojë avokatët e tij në Florida, për të zbuluar atë që ai e konsideron si mashtrim elektoral.

Por, zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve në Florida janë shprehur kundër tij, të cilët kanë dhënë garanci për numërimin e saktë të votave.

Në zgjedhjet afatmesme të ditës së martë, demokratët fituan kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa republikanët ruajtën shumicën në Senat.

Lër një koment