‘Zgjedhjet e 30 Qershorit shpallen të pavlefshme’, manovra që bëri Meta

Avokati Ledio Braho tha se rrëzimi i dekretit të presidentit Meta në Kolegj është jashtëkushtetues, pasi vetë institucioni i kreut të shtetit, nuk u thërrit si palë në këtë proces.

“Presidenti nuk u thërrit as si palë në Kolegj. E para Kolegji nuk ka të drejtë që të gjykojë dekretin, po edhe në rastin që ndodhi kjo, nuk pati asnjë ftesë për të përfshirë të gjitha palët në proces. Me krijimin e Gjykatës Kushtetuese presidenti ka të drejtë ti drejtohet Gjykatës kushtetuese, dhe zgjedhjet bëhen të pavlefshme.”, u shpreh Braho.

Avokati u shpreh më tej se arsyetimi u kolegjit zgjedhor është copy paste i njëjtë me vendimin e dhënë në KQZ, kundër dekretit të Metës, ç’ka tregon që vendimmarrja është bërë me urdhër politik.

“Pjesa arsyetuese e Kolegjit Zgjedhor është copy paste me vendimin e KQZ, dhe tërësisht në kundërshtim me ligjin. Ajo që bëri presidenti është një mbyllje e procedurës, pavarësisht se palët sot janë më larg një marrëveshje se dy javë më parë.

Zoti Basha tha se edhe 13 Tetori do të jetë ditë votimesh, sa kohë që nuk zbatohen kushtet e opozitës, për zgjedhje të lira. KQZ e ka treguar që nuk është në zbatim të ligjit, po është në zbatim të urdhërave politik, në aspektin Kushtetues nuk ka asnjë dyshim.

Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të diskutojë dekretet e presidentit, për palët e tjera është detyrim zbatimi i tij”, tha më tej Braho.

Avokati komentoi dhe qëndrimin e mbajtur nga ana e ndërkombëtarëve, duke thënë se ata nuk kanë asnjë të drejtë që të ndërhyjnë, pasi njohja e zgjedhjeve është një atribut që e kanë vetëm institucionet shqiptare.