fbpx

Zgjedhjet e 6 marsit, Salianji: Në betejë për të fituar…

ervin-salianji.jpg

Ervin Salianji ka zhvilluar sot takim me strukturat e Partisë Demokratike në Korçë. Në një prononcim për mediat, Salianji tha se PD është duke u përgatitur për zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki të vendit. Demokrati theksoi gjithashtu se PD ka nisur riorganizimin e saj.

“PD është e gatshme, pothuajse në të gjithë kohën ka qenë në fazat e organizimit dhe të kontaktet për të nxjerrë kandidatët. Ne do të jemi me gjithë potencialin që ka PD dhe gjithë faktori opozitar që tek PD tani shikon të vetmen shpresë për ndryshim.

6 marsi ishte data që u zgjodh ne do të jemi në betejë dhe do të fitojmë. Ajo që është e rëndësishme që po e shikoj edhe nga komunikimi me demokratët këtu në Korçë ka një rikthim të njerëzve, të ish themeluesve që kanë kontribuar që kanë qenë të zhgënjyer dhe të mërzitur me PD. Jam i kënaqur që i shikoj në sallat e mbledhjeve. Kemi nisur një proces organizimi këtu. Brenda një kohe të shkurtër ne do të votëbesohemi në të gjithë degët për të krijuar një strukturë e cila do të jetë e aftë të fitojë ashtu sic e kemi modelin në fakt”, tha ai.

Sipas Salianjit ka vetëm një PD që do të ketë kandidatët e saj në zgjedhje, ndërsa të tjerët mund të kandidojnë si të pavarur, duke iu referuar Komisionit të Rithemelimit që ka konfirmuar pjesëmarrjen. Salianji thotë se gjatë kësaj kohe “Foltorja” ka gënjyer demokratët dhe se PD duhet tani të jetë e bashkuar.

“Shikoj edhe një element tjetër. Jemi në pozitat që kemi qenë, sigla e PD ka qenë po këtu. Nuk duan që demokratët të shpërdorojnë asnjë investim të tyre në një parti të re, PD e rithemeluar apo çfarëdolloj emërtimi tjetër qoftë. Kontributet duhet ti keni në PD.

Më vjen keq ta them por gënjehet rëndshëm nga foltorja, hajdeni në datë 11 se do rrëzojmë këtë, hajdeni në datë 8 se do ndodhë kjo, sot jemi në datën 20 dhe asgjë nuk ndodh nga këto sepse nuk mundet dhe as nuk ndodh që një parti politike të merret peng për të krijuar ushtarë kundër PD.

PD duhet të jetë e bashkuar, nëse ka kandidatë që dalin të pavarur kjo është në të drejtën e tyre sipas ligjit. PD ka një kandidat që do të regjistrohet”, u shpreh ai.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303