Zgjedhjet në Afganistan, votimi shtyhet për të dielën, kaos në qendrat e votimit

Afganët votuan ditën e sotme në zgjedhjet parlamentare të lëna në hije nga organizimi kaotik, akuzat për korrupsion dhe dhuna që kanë detyruar shtyrjen e votimit në krahinën strategjike jugore të Kandaharit.

Pothuajse nëntë milionë votues kanë të drejtë të hedhin votat e tyre në votimin që filloi në orën 07:00 lokale dhe pritej të përfundonte në 13:30, por komisioni zgjedhor e ndërpreu për shkak të problemeve teknike.

Votimi do të hapet sërish të dielën dhe vetëm rreth 5,000 qendra votimi do të jenë funksionale, nga 7,000 që ishin planifikuar fillimisht, për shkak të problemeve të sigurisë.

Konfuzioni mbi pajisjet biometrike për regjistrimin e votuesve, qendrat e votimeve që nuk u hapën në kohë, mungesa e materialeve zgjedhore ishin disa prej problemeve të hasura.

Më shumë se 30 incidente u regjistruan në qendrat e votimit.

Në qytetin verior të Kunduzit, 53 persona u plagosën dhe tre u vranë në incidente të ndryshme. Në Nangarhar në lindje, shtatë vetë u plagosën në një shpërthim dhe të paktën 11 policë u vranë në Ghor.

Abdul Badi Sayad, kryetar i Komisionit të Pavarur Zgjedhor, tha se procesi i votimit do të vazhdojë deri të dielën në ato vende ku oficerët e zgjedhjeve ose materiali zgjedhor mbërritën me vonesë.

Talebanët kanë bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve, të cilat i konsiderojnë ‘të rreme’. Ndërkohë militantët e Shtetit Islamik në Afganistan kanë ndjekur shembullin e tyre.

Ministria e Mbrojtjes ka vendosur 70,000 anëtarë të forcave të sigurisë për të siguruar që zgjedhjet të kalojnë në mënyrë paqësore.

2,500 kandidatë po garojnë për 250 vende në parlament. 10 kandidatë janë vrarë gjatë fushatës elektorale.

 

Lër një koment