Zgjedhjet në Rumani/ Presidenti aktual shkon në balotazh me ish-kryeministren

Me gati të gjitha votat e numëruara nga zgjedhjet e së dielës, Byroja Qendrore e Zgjedhjeve në Rumani tha se presidenti aktual Klaus Iohannis, i mbështetur nga Partia Nacional-Liberale – subjekt i qendrës së djathtë që mban pushtetin në Rumani – ka dalë i pari me 36.9 për qind të votave.

Dancila, udhëheqëse e Partisë Socialiste Demokratike, e qendrës së majtë, siguroi 23.5 për qind të votave.

Presidenti aktual i Rumanisë, Klaus Iohannis, pritet të përballet në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me ish-kryeministren Viorica Dancila.

Balotazhi do të mbahet më 24 nëntor.

Hyrja e Dancilas në balotazh shihet si fitore personale për të, pasi ka thënë se do të japë dorëheqje si udhëheqëse e partisë në rast të humbjes në rrethin e parë të zgjedhjeve.

Iohannis, në anën tjetër, është zotuar se do të vazhdojë të forcojë sundimin e ligjit dhe se do të luftojë korrupsionin – problemin endemik të Rumanisë që nga rënia e komunizmit, tri dekada më parë.

Pjesëmarrja ka qenë më e ulëta në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë post-komuniste – më pak se 48 për qind e mbi 18 milionë votuesve e kanë shfrytëzuar të drejtën për votim.