Kreu i LZHK, Dashamir Shehi ka deklaruar se nuk ka asnjë pritshmëri të lartë sa i përket tryezës për reformën zgjedhore, pasi siç thekson ai, ndryshimet nëse do të arrihen, janë minimale.
“Nuk kam ndonjë pritshmëri të lartë. Pse? Ndryshimet janë relativisht të vogla. Sistemi nuk është ndryshuar fare, por unë mendoj që të arrijmë minimalen për të shkuar në zgjedhje, se sot shkohet vetëm në votime. Është shumë e vështirë që palët të arrijnë edhe këtë minimum, pasi nuk është çështje ligjore, por mentaliteti. I forti mbledh votat me armë, por edhe me para. Është një sistem i kolauduar në perfeksion, i cili drejtohet nga qendrat politike, që janë partitë, kryeministra. Lufta për zgjedhje më të mira është për një demokraci të pranueshme”, u shpreh Shehi.