Zhvillimet e fundit për vrasjen e ekstremistit grek në Bularat

Të tjera zhvillime kanë ndodhur këtë të martë në fshatin Bularat në Gjirokastër, vendin që është kthyer në qendër të vëmendjes së dy shteteve fill pas ngjarjeve të së dielës, ku mbeti i vrarë 35-vjeçari grek Kostandinos Kaçifa.

Mësohet se policia shqiptare së bashku me prokurorinë kanë mbërritur në Bularat dhe pikërisht pranë zonës ku u ekzekutua 35-vjeçari grek.

Autoritetet kanë shkuar për të vijuar me hetimet e tyre në lidhje me përplasjen me armë që ndodhi mes Kaçifës dhe forcave speciale të repartit RENEA. Përplasja mes 35-vjeçarit grek dhe RENEA-s ka qenë e treta, pasi në dy të parat i riu ka qëlluar me breshëri automatiku mbi dy automjete të policisë shqiptare (një patrullë si dhe një e forcave shqiponja).

Nga ana tjetër mësohet gjithashtu se është hedhur poshtë kërkesa e familjarëve të 35-vjeçarit grek për të kryer një autopsi dhe ekzaminim mjeko- ligjor nga ana e një mjeku grek, mbi trupin e viktimës. Argumenti i palës shqiptare ka qenë se tashmë një ekzaminim i tillë është kryer. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në dorë çështjen, kurse Gjykata e Gjirokastrës ka qenë ajo që nuk e ka pranuar kërkesën e familjarëve.

Trupi i 35-vjeçarit vijon të qëndrojë në morg, pasi familja refuzon ta tërheqë atë derisa të kryhet ekzaminimi nga mjeku grek, i cili pritet të vijë këtë të martë në fshatin e vogël të Gjirokastrës

Lër një koment