Dita e Verës, ja ku ndalohet qarkullimi i automjeteve

Bashkia e Tiranës ka organizuar mbi 50 aktivitete për të festuar Ditën e Verës, festimet të cilat kryebashkiaku i shtyu për ditën e sotme për shkak të motit të keq.

Policia e Shteti ka marrë masat e duhura për mbarëvajtjen e aktiviteteve të organizuara, duke hartuar një plan masash dhe devijuar qarkullimin e automjeteve dhe linjave të autobusëve.

Ndalimi i qarkullimit do të bëhet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga ora 8 deri në orën 17; në sheshin “Nënë Tereza” nga ora 19 e ditës së shtunë deri në mesnatën mes të dielës dhe të hënës; si dhe në rrugët “Pjetër Bogdani e “Brigada e VIII”, si dhe segmenti midis “Vaso Pashes” dhe “Ibrahim Rugovës” nga ora 8 e së dielës deri në 4 të mëngjesit të së hënës.

Ndërsa automjetet e transportit urban, respektivisht linja e Unazës do të devijohet në urën e rrugës “Sami Frashëri” me urën e rrugës së “Elbasanit”; linja e “Tiranës së Re” do të devijohet në rrugën “Sami Frashëri”; ndërsa linja Kinostudio-Kombinat do të devijohet te sheshi i “Medresesë” dhe përballë Kishës Ortodokse në rrugën e “Kavajës”.

Ndërsa automjetet e emergjencës dhe të Policisë së Shtetit do të qarkullojnë në rrugët “Ibrahim Rugova”, “Vaso Pasha” dhe “Papa Gjon Pali II”, në unazën e vogël të qytetit./real-news.tv/