Zuckerberg flet pas kritikave ndaj “Facebook”-ut

mark-zuk.jpg

Shefi ekzekutiv i rrjetit social “Facebook”, Mark Zuckerberg ka deklaruar të martën se nuk e ka në plan që të dorëhiqet.

Pavarësisht një viti tejet të trazuar për “Facebook”-un, ai tha për “CNN Business” se “nuk është ky plani”, teksa u pyet nëse do ta konsideronte një dorëheqje të mundshme si drejtues i rrjetit social më të përhapur në botë.

Ai doli gjithashtu në mbrojtje të kryeshefes operacionale të “Facebook”-ut, Sheryl Sandberg, që është kritikuar ashpër për shkak të mënyrës së saj të menaxhimit të krizës së kohëve të fundit të gjigantit teknologjik.

“Sheryl është aset me të vërtetë shumë i rëndësishëm i kësaj kompanie, pasi po udhëheq shumë prej përpjekjeve ndaj shumicës së problemeve që kemi pasur dhe kemi. Ka qenë një partnere e rëndësishme për mua në dekadën e fundit. Jam krenar për punën që kemi bërë bashkë dhe shpresoj të punojmë bashkërisht edhe për dekada të tjera”.

“Facebook”-u është kacavjerrë nga një telash në tjetrin gjatë këtij viti, duke u përballur me pasojat e përdorimit të kësaj platforme nga Rusia për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara; me skandalin e “Cambridge Analytica”, gjatë të cilit të dhënat e përdoruesve u shfrytëzuan në përpjekje për të ndihmuar kandidatin Donald Trump; si dhe një dështim sigurie i rëndësishëm, që përfshiu miliona llogari në rrjetin social.

Së fundi, një artikull investigativ i publikuar nga “New York Times” javën e kalaur thoshte se “Facebook”-u mashtroi publikun mbi atë që dinte nga ndërhyrje ruse në zgjedhje, madje kishte përdorur një firmë “PR”-i për të përhapur lajme negative mbi kompani të tjera nga Silicon Valley, në mënyrë që të shmangte vëmendjen apo irritimin ndaj vetes.

“Për mua nuk është ende e qartë nëse raporti është i vërtetë apo jo, – tha Zuckerberg mbi artikullin e “NYT”. – Për shumë gjëra që ishin në atë raportim, ne kemi biseduar me reporterët përpara atij publikimi dhe u kishim thënë se, nga sa shihnim ne, asgjë nuk ishte e vërtetë. Por ata zgjodhën ta publikonin, pavarësisht kësaj”.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303