fbpx

Zvicra heq Kosovën nga lista e karantinës, ja cilat shtete fut tek vendet me rrezik të lartë

Nga 28 shtatori, Kosova do të hiqet nga lista e karantinës në Zvicër. Zyra Federale e Shëndetit Publik ka përditësuar listën e vendeve me rrezik për koronavirusin. Britania e Madhe, Portugalia dhe Belgjika janë përfshirë në këtë listë ndërsa Kosova është hequr.

Me ndryshimet e reja karantina është e detyrueshme për 59 shtete, rajone dhe bashkësi të shteteve nga 51 që ishin në 11 shtator.  Lista e re do të hyjë në fuqi të hënën më 28 shtator. Kushdo që hyn nga një prej vendeve të rrezikut duhet të jetë në karantinë për 10 ditë.

Përveç Portugalisë, Belgjikës dhe Britanisë së Madhe, Zyra Federale tani ka shtuar në listë Danimarkën, Irlandën, Islandën, Slloveninë, Hungarinë dhe Marokun. Nga vendet në Lindjen e Mesme, Omani përsëri konsiderohet një vend me rrezik.

Lista përfshin gjithashtu zonat e Bretanjës në Francë, Ligurisë në Itali dhe shteteve federale të Austrisë së Epërme dhe Austrisë së Poshtme në Austri.

Kosova prej më shumë se dy javësh ka një numër të ulët infeksionesh, konkretisht nën 60 në 100 mijë banorë. Ndërsa ditëve të fundit, ky numër ka rënë në 52.