Zyrtarët serbë nuk lejohen të hyjnë në Kosovë, reagon kryeministrja serbe

bernabic.jpg

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç ka thënë se homologu i saj nga Kosova, Ramush Haradinaj, i ka thënë asaj se “është një lajm i rremë se zyrtarëve serbë i janë ndaluar vizitat në Kosovë”.

“Unë jam e kënaqur që kam dëgjuar nga Ramush Haradinaj se është një lajm i rremë se zyrtarët serbë janë ndaluar të vizitojnë Kosovën”, tha ajo dhe shtoi se “është e çuditshme që lajme të rreme të përhapin këshilltarë të ministrit për Punë të Jashtme”, tha ajo.

Këto komente ajo i bëri në Poznan të Polonisë ku bashkë me Haradinajn e kreministrat e vendeve të tjera të rajonit po marrin pjesë në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, takim ky që rrjedh nga Procesi i Berlinit.

Atje të pranishëm janë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, eurokomisionari për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, kancelarja gjermane, Angela Merkel, kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ai i Francës, Edouard Philippe.

Në samit do të diskutohet për çështjet e rëndësishme të Ballkanit Perëndimor, planet për të ardhmen dhe bashkëpunimin rajonal.

Zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës paralajmëruan të enjten se nuk do të lejojnë asnjë zyrtar nga Beogradi të vizitojë Kosovën dhe se kërkesat e tilla do të refuzohen derisa Beogradi nuk e ndryshon sjelljen.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303