Gjatë raportimit të tij në seancën e sotme plenare në Kuvend, kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, iu përgjigj një pyetje që iu drejtua nga deputeti demokrat Klevis Balliu, lidhur me hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Dumani theksoi se nuk ka marrë asnjë raportim nga prokurori Dritan Prençi, sikurse është deklaruar në media se ai ka marrë kërcënime për të mos hetuar ministren Balluku.
“Tani, lidhur me çështjen është çështje në hetim, nuk kam për të dhënë asnjë koment. Prokurori Prençi dhe të gjithë prokurorët e posaçëm, kanë për të patur mbështetjen time në hetimet e tyre.
Z.Prençi nuk më ka thënë gjë. Ai ka gjithë mbështetjen time, në gjithë çështjet që ka në ndjekje. Jo vetëm ai por të gjithë. Në asnjë rast të vetëm nuk kam qenë lobues hetimesh, jam përpjekur të krijoj një ambient ku prokurorët janë përgjegjës të kryejnë hetimet dhe të gjithë i kam mbështetur dhe do vazhdoj t’i mbështes, deri në ditën e fundit si drejtor Prokurorisë së Posaçme”, tha Dumani.

