Një moment prekës u shënua në nisje të ndeshjes midis Flamurtarit dhe Vllaznisë, në nderim të të riut Leandro Shametaj, 17-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht në një aksident rrugor.
I riu u godit për vdekje nga një automjet teksa kthehej me motor nga puna si kamarier, në orët e vona të mbrëmjes, duke i ndërprerë jetën në mënyrë të parakohshme.
Futbollistët e Flamurtarit dolën në fushë me nga një trëndafil të bardhë, të cilët i vendosën në këndin e tifozëve të “Flotës Kuq e Zi”, aty ku ishte vendosur edhe fotografia e Leandros. Gjesti u shoqërua me duartrokitje të gjata nga e gjithë skuadra dhe publiku.
I gjithë stadiumi u ngrit në këmbë dhe mbajti një minutë duartrokitje në nderim të kujtimit të Leandros, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe emocionale, si shenjë solidariteti me familjen e tij dhe me miqtë që e deshën aq shumë.

