TË FUNDIT

Guvernatori Sejko takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar: Papunësia ra në nivelin historik prej 8.5%, ekonomia shqiptare u rrit me 3.6% në gjysmën e parë të 2025-ës

Më 4 nëntor 2025, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga zj. Anke Weber, shefe e Misionit për Shqipërinë.

Qëllimi i vizitës së Misionit në Shqipëri ishte zhvillimi i dialogut periodik me autoritetet shqiptare mbi zhvillimet ekonomike, monetare e financiare, si dhe politikat e duhura për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të vendit.

Diskutimet u fokusuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike e financiare në vend, dhe perspektivën e tyre për të ardhmen; politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë; si dhe masat e marra për ruajtjen dhe forcimin e shëndetit të sektorit bankar dhe stabilitetit financiar të vendit.

Fillimisht, Guvernatori Sejko i njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet më të fundit në ekonominë vendase. Ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri të lartë përballë sfidave globale, duke ruajtur ritme të qëndrueshme rritjeje dhe stabilitet makroekonomik.

Vendi ka shënuar rritje ekonomike, inflacion të ulët e të qëndrueshëm, si dhe një sistem financiar të shëndoshë. Këto arritje janë reflektuar edhe në përmirësimin e vlerësimeve nga agjencitë ndërkombëtare Moody’s dhe S&P.

Në gjysmën e parë të vitit 2025, ekonomia u rrit me 3.6%, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe turizmi. Papunësia ra në nivelin historik prej 8.5%, ndërsa pagat reale u rritën me ritme të larta. Inflacioni po afrohet gradualisht drejt objektivit 3%, ndërkohë që politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka mbetur akomoduese në mbështetje të këtij procesi, duke krijuar kushte të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve.

Duke u ndalur në ecurinë e sektorit bankar, Guvernatori u shpreh se ai mbetet i qëndrueshëm, likuid dhe i mirëkapitalizuar, ndërsa kreditimi ndaj sektorit privat ka vazhduar të rritet me ritme të forta. Në planin fiskal, politika konsoliduese ka vendosur borxhin publik në trajektore zbritëse, duke forcuar qëndrueshmërinë fiskale.

Në horizontin afatmesëm, pritshmëritë mbeten pozitive. Rritja ekonomike parashikohet të jetë e qëndrueshme, ndërsa inflacioni pritet të stabilizohet pranë objektivit në 6MI të vitit 2026. Banka e Shqipërisë do të vijojë të ndjekë një politikë monetare të kujdesshme dhe të bazuar në të dhëna, me fokus kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar shprehën mbështetjen e tyre për politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe kontributin e rëndësishëm të saj në stabilitetin monetar e financiar. Politika akomoduese ka mbështetur kreditimin dhe aktivitetin ekonomik, pa gjeneruar presione inflacioniste.

 

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat