Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar për mediat pas mbledhjes në selinë blu se nuk ka marrë asnjë fletëthirrje për tu paraqitur në SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e “21 Janarit”.
Megjithatë, edhe pse nuk pranoi se ka marrë një fletëthirrje nga Prokuroria e Posaçme, kreu i demokratëve shprehu gatishmërinë për tu paraqitur në SPAK.
Sakaq, Sali Berisha deklaroi se ka kërkuar vazhdimisht që ngjarja e 21 Janarit 2011 të zbardhet, duke nisur nga organizatorët e deri tek efektivët e policisë.
“Personalisht nuk kam marrë asnjë fletëthirrje. Për faktin e thjeshtë se Alfred Greca ua jep para meje gazetarëve dhe kjo, unë nuk kam asnjë problem. Jam njeriu që kam kërkuar më shumë se kushdo tjetër hetimin e atyre ngjarjeve tragjike.
Kam kërkuar prokurorë ndërkombëtarë. Nga 2013 e deri më sot që Prokurorinë e ka në dorë Edi Rama, është vetëm ai që ka penguar hetimin.
Sali Berisha ka kërkuar prokurorë ndërkombëtarë, ka kërkuar hetim, ka fatmirësisht deklaratat e qeverisë së SHBA, ku zyrtarë amerikanë, kërkuan hetimet nga polici tek organizatori.
Organizatorët janë me dokumenta se kush janë. Unë shkoj në çdo thirrje. Të hetohet e plotë kjo ngjarje.”-tha Sali Berisha.

