Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme pranë aeroportit të Rinasit. Sipas informacioneve paraprake, është qëlluar me armë zjarri ndaj një automjeti të bardhë në afërsi të rrethit të Rinasit.
Si pasojë e të shtënave, një person ka mbetur i vrarë, ndërsa një tjetër është plagosur dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën, pasi dyshohet se është qëlluar në kokë.
Burime policore bëjnë me dije se autorët janë larguar menjëherë pas ngjarjes me dy automjete në drejtim të Fushë-Krujës. Forcat e policisë kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa në vendngjarje janë nisur grupet hetimore për të zbardhur rrethanat e plota të vrasjes.

