Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët të mbajtur ditën e sotme, akuzoi me tone të ashpra qeverinë dhe policinë për përfshirje dhe mbulim të ngjarjeve kriminale në vend, duke u ndalur tek atentati i ndodhur një ditë më parë në zonën e Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani.
Berisha e cilësoi ngjarjen si një “ekzekutim publik të patronuar nga shteti”, duke theksuar se atentati ndodhi në një nga zonat më të sigurta të vendit, të mbikëqyrura nga disa njësi policore e speciale. Berisha tha se, autorët u larguan të qetë, pa asnjë ndërhyrje të policisë, gjë që tregon përfshirje të strukturave shtetërore. Ai akuzoi se viktimat dhe të plagosurit ishin të lidhur me ministra të qeverisë Rama, përkatësisht Ervin Hoxhën dhe Blendi Gonxhen, dhe se përplasja mes bandave është një luftë mes grupeve të afërta me pushtetin.
Në vijim, lideri opozitar, Sali Berisha foli edhe për tensionet brenda Partisë Socialiste, duke thënë se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku (“Lubia”, siç e quan ai) ka kërcënuar kryeministrin Edi Rama, duke i kujtuar se “nuk do të pranojë të bëhet kurban për veprimet e tij”.
Sa i përket aksionit opozitar, Kryetari i PD, Sali Berisha njoftoi se të hënën do të nisë “parlamenti i qytetarëve” para Kryeministrisë, një formë proteste dhe platforme politike e PD-së kundër “narkodiktaturës së Ramës”. Berisha theksoi se kjo është vetëm faza e parë e një serie veprimesh dhe protestash që do të vijojnë në mënyrë të vazhdueshme në gjithë vendin.
Në përfundim të konferencës me gazetarët, Berisha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të ministres së Brendshme Albana Koçiu dhe të ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu, duke i akuzuar për dështime të rënda në garantimin e sigurisë publike dhe për mbulimin e lidhjeve të policisë me krimin.

