Në një seancë maratonë, që zgjati thuajse 16 orë, Kuvendi miratoi në parim projektbuxhetin 2026 me vlerë 8.8 mld euro, si edhe 8 projektligjet e paketës fiskale. Seanca maratonë zgjati deri në orën 03:00 të mëngjesit. Buxheti mori vetëm 83 votat pro të socialistëve, ndërsa siç pritej, opozita votoi kundër.
Vetëm dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj dolën nga rreshti duke mos votuar 3 projektligje të paketës fiskale. Konkretisht, Braçe nuk mori pjesë në votim tek projektligji “Për sistemin e taksave vendore”, ndërsa Sinaj nuk votoi 2 projektligjet e paqes fiskale.
Buxheti prej 8.8 miliardë eurosh do të jetë në dispozicion të institucioneve për shërbime shëndetësore, paga, skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për sigurinë, në kuadër të detyrimeve ndaj NATO-s.
Si u votua në Kuvend?
Votimi: 83 vota pro, 31 kundër
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Votimi: 83 pro, 32 kundër
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”
Votimi: 83 pro, 32 kundër
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”
Votimi: 82 pro, 32 kundër (Braçe nuk voton)
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar
Votimi: 83 vota pro, 32 kundër
Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar
Votimi: 82 pro, 32 kundër (Sinaj nuk voton)
Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”
Votimi: 83 pro, 31 kundër
Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”
Votimi: 82 vota pro, 30 kundër (Sinaj nuk voton)
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”
Votimi: 83 pro, 32 kundër
Projektligji “Për buxhetin e vitit 2026”
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”, parashikon faljen e rreth 500 milionë euro detyrime e gjoba që bizneset i kanë të papaguara deri në 31 dhjetor 2014. Po ashtu, lehtësohen detyrimet e krijuara nga 2015-2024, por me kushte, pasi një pjesë e borxhit duhet paguar brenda 2026-ës.
“Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”, propozon bërjen e një marrëveshje maksimumi 3-vjeçare me bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë, duke negociuar fitimin e tyre. Pra, mbi fitimin e deklaruar të një biznesi do të shtohet një marzh 18%, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%. Praktikisht, një biznes me fitim 15 milionë lekë, në vitin paraardhës, i shtohet një marzh prej 18% ose 2.7 milionë lekë, duke e çuar fitimin në 17.7 milionë lekë, që tatohet me 15%. Ndërsa çdo lekë mbi 17.7 milionëshin tatohet me 5%. Ky është favor për bizneset e mëdha, të cilët aktualisht për çdo fitim tatohen me 15%.
Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” parashikon t’u japë mundësinë të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të përafrojnë vlerën e pronës së tyre me çmimet reale të tregut kundrejt një norme tatimore 5%. Konkretisht nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai do të duhet të paguaj 15% tatimin për këtë diferencë prej 20 mijë eurosh qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro, ndërsa me këtë ndryshim kur bëhet përafrimi i çmimit me vlerën e tregut tatimi zbret në 5%, dhe paguan 1000 euro.
Sa i përket ndryshimeve në ligjin aktual të TVSH, rikthehet kompensimi në bujqësi. Për çdo faturë që fermerët do të marrin nga grumbulluesit kur iu shesin produktin do të kompensohen me 10% të vlerës së saj,
Projektligji për ndryshimin e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ul tavanin për pagesat cash mes bizneseve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, si dhe kufizon për herë të parë në 500 mijë lekë vlerën e pagesave që mund të bëjnë me para në dorë individët apo të vetëpunësuarit.
Projektligji “Për sistemin e taksave vendore”, që nis të diskutohet në komisione, parashikon të përjashtojë të gjitha investimet të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Ndërsa dy nismat e tjera pjesë e ‘PAKETËS’, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, si dhe projektligji për të ndryshuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, parashikojnë një sërë lehtësish fiskale për sponsorizimet në sport si dhe në fushën e zhvillimit dhe kërkimit.

