TIRANË- Pasi u mor e pandehur nga SPAK për shkelje me Tenderin e Llogarasë, zv.kryeministrja Belinda Balluku është nën hetim edhe për lotin e katërt të Unazës së Madhe. GJKKO ka caktuar dy masa sigurie ndaj Ballukut, pezullim të ushtrimit detyrës dhe funksionit, si ministre e Infrastrukturës dhe zv.kryeministre, ndërsa njëherazi ka caktuar edhe masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit.
Mësohet se vendimi është një marrë një ditë më parë nga gjyqtari Erion Çela me kërkesë të prokurorit Dritan Prençi dhe sot u është dërguar institucioneve për zbatim. Pasi të njihen me vendimin e gjykatës, brenda 72 orëve Balluku dhe zyrtarët e tjerë duhet të paraqiten në GJKKO për verifikim të kushteve të masës së sigurisë dhe më pas kanë të drejtë ta ankimojnë.
Gjithashtu është vendosur masa arrest shtëpie edhe për 2 zyrtarë të tjerë. Konkretisht për kreun e ARRSH Gentian Gjyli dhe drejtorin e KESH, Erald Elezi, të dy të marrë të pandehur për Tunelin e Llogarasë, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).
Në një reagim të parë për mediat, GJKKO u tregua e rezervuar për të ndarë një koment mbi këtë lajm.
“Lidhur me lajmin e publikuar në media për caktimin e masave të sigurisë ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, në kushtet që masa e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun. Në momentin e duhur procedurial do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës”, informoi GJKKO.
Sa i takon tenderit për lotin e katërt të Unazës së Madhe, ai është fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Euroteorema Peqin” shpk – “Pe-Vla-Ku” sh.p.k – “Nova Construction 2012” shpk, me një ofertë prej 19.9 mln euro pa TVSH, vetëm rreth 5% më pak se fondi limit i përcaktuar nga ARRSH, me vlerë 21 mln euro.
Ky tender rezulton me flamur të kuq. Të gjithë operatorët e tjerë konkurrues janë skualifikuar, përfshirë edhe ofertën më të ulët ekonomikisht.
Shkeljet me tenderin për Tunelin e Llogarasë
Më 31 tetor, SPAK mori të pandehur Ballukun për shkelje me tenderin 190 mln euro për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Bashkë me Ballukun, në këtë çështje janë marrë të pandehur edhe 5 persona të tjerë, Gjyli, ish-drejtori i ARRSH-së Evis Berberi, i cili është i arrestuar për një tjetër çështje, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica. Të 5-të janë marrë të pandehur në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).
Tenderi u hap fillimisht më 11 dhjetor 2020 dhe u mbyll më 12 shkurt 2021. Por më 19 prill 2021 në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, u njoftua se tenderi ishte anuluar, pasi asnjë ofertë nuk ishte e suksesshme në përputhje me dokumentet e tenderit. Në këtë procedurë u paraqitën 6 oferta, ku më e ulëta, ishte ajo e shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.a., me vlerë 14 miliardë lekë ose rreth 140 milionë euro.
E njëjta garë u shpall 22 qershor 2021 për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, me një fond limit prej afro 190 mln euro pa TVSH. Në tenderin i cili u mbyll më 28 korrik po të vitit 2021, u bënë 5 oferta, ku grupi I dy kompanive turke Intecar dhe Asl, u shpall fitues, me ofertë 170 mln euro plus TVSH.
SPAK dyshon se Balluku dhe Gjyli kanë kryer veprime që mund të kenë ndikuar në mënyrë të padrejtë në këtë proces prokurimi, pasi tenderi u anulua kur oferta më e ulët ishte 140 mln euro dhe u rihap pak muaj më pas dhe ju dha bashkimit të kompanive turke edhe pse kishin ofruar vlerë më të lartë.

