Po, po, s’ju kanë bërë veshët! Arilena Ara qenka vetëshpallur yll ndërkombëtar. Dhe tani lind pyetja e natyrshme: me cilin univers po konkurron ajo? Sepse në këtë tonin tokësor, s’e dimë ku e ka parë gjithë këtë yllësi.
E vërtetë, ka pasur një super hit “Nëntori” këngë shumë e bukur, sukses i madh, bravo i qoftë! Por që prej atij nëntori… duket sikur ka mbetur tek stina e ftohtë.
Ka një çmim të madh të parë të kontestuar (pavarësisht se në këndvështrimin tonë fituesi nuk gjykohet), por fati i saj i keq (ndoshta dhe i mirë) është që Eurovisioni i atij viti nuk u realizua për shkak të pandemisë. (Pyesni dhe Alketa Vejsiun për atë periudhë se mund tju tregojë më shumë)
Pastaj albumi… a u publikua? A nuk u publikua? A e pa njeri? Askush s’e di.
Nga albumi “ndërkombëtar”, për të cilin flet prej vitesh, kemi vetëm një këngë “Weightless”, e shkruar nga Diane Warren, që mezi ka kapur 1 milion shikime në YouTube. Po mirë mo, edhe kjo është diçka… për ndonjë artist lokal.
Dhe të mos harrojmë arratisjen spektakolare nga Kënga Magjike, sapo pa që votat nuk po i shkonin drejt fronit të mbretëreshës së festivalit. Me pak fjalë: kur nuk fiton, ikën. Yll ndërkombëtar, por me sistem alarmi vendas.
Atëherë pse Arilena u kërkon shqiptarëve një shumë të madhe parash, shifër të cilën s’ka guxuar ta kërkojë as në koncerte siç bëjnë kolegët e saj Elvana Gjata, Noizy apo edhe Alban Skënderaj me të cilin Arilena ka miqësi.
Pse duhet që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë një këngëtare që prezupozohet të bëjë prezantuesen për herë të parë në një skenë kaq të madhe e të rëndësishme të muzikës shqiptare?! Apo ngaqë është mikeshë me drejtoren artistike të Festivalit, Elhaida Dani?!
Realiteti i thjeshtë? Shqiptarët nuk i detyrohen askujt të blejnë ëndrrat e askujt. As nëntorë, as ndërkombtarizma imagjinare. Dhe me siguri jo 20 mijë euro… vetëm e vetëm që Arilena të provojë një rol të ri në CV.
Nga Sara.M

