Një ngjarje e rëndë është shënuar në Durrës, ku një 15-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë me thikë pas një konflikti për motive të dobëta. Policia ka bërë të ditur se autori i dyshuar, një 14-vjeçar, është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga pas disa orësh kërkimesh.
Ngjarja ndodhi më 25 nëntor 2025, në lagjen nr. 14/1, në rrugën “Lugina e Karavastasë”. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën hetimore për zbardhjen e plotë të saj.
Sipas hetimeve paraprake, i mituri M. K., 14 vjeç, dyshohet se gjatë konfliktit ka goditur me thikë 15-vjeçarin E. B., duke i shkaktuar plagë të rënda. I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë veprimeve operative, policia sekuestroi edhe mjetin prerës me të cilin dyshohet se është kryer plagosja. Pas kërkimeve në zonë dhe në ambiente të ndryshme, 14-vjeçari u kap dhe u arrestua në flagrancë.
Ai akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për vijimin e procedimeve.

