Ballkani Perëndimor ka një rëndësi për Evropën. Këtë linjë mbajti kryeministri Edi Rama në një intervistë për podcastin austriak “East Side Stories” ku theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë brenda vitit 2030 në Bashkimin Europian nuk është thjesht një ambicie.
“Nuk e bëjmë këtë “detyrë shtëpie” për t’i kënaqur ata. E bëjmë këtë detyrë për të ndryshuar Shqipërinë dhe për ta bërë Shqipërinë më evropiane, më demokratike, më të bazuar në institucionet e veta dhe jo tek personalitetet e veta”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal dhe te drejtësia e re teksa theksoi se qeveria e tij po bën gjithçka që të mos cënohet pavarësia e saj. Por pranoi se institucionet mund të bëjnë gabime.
“A është perfekte? Jo. A bëjnë gjithashtu gabime? Sigurisht që bëjnë. Por në fund të ditës, duhet të bëjmë gjithçka që të mos prekim pavarësinë që u kemi dhënë atyre”, tha shefi i qeverisw.
Rama sqaroi edhe projektin e dhëndrit të Presidentit të SHBA, Jared Kushner në ishullin e Sazanit. Ai tha se miqësia mes tyre do të vijojë dhe përtej mandatit të Trump në krye të SHBA.
“Ata erdhën, vizituan, e duan këtë vend, u kthyen dhe pastaj filluan të mendojnë se si të bëjnë diçka. Mendoj se ky është një investim dhe kjo është një miqësi që zgjat shumë kohë, prandaj do të mbijetojë edhe pas Trump-it, kështu që nuk është aspak një miqësi politike”, tha Rama.
Sa i përket përplasjeve politike në SHBA mes Donald Trump dhe Xhorxh Soros, Rama preferoi të mos jepte një koment. Megjithatë theksoi se Shqipëria është mikpritëse ndaj miqve.

