Në pritjen e përvitshme të organizuar në Pallatin e Brigadave me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, Presidenti i Republikës Bajram Begaj priti mbrëmjen e sotme personalitete të politikës, përfaqësues të institucioneve dhe trupin diplomatik të akredituar në Tiranë.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemne, duke përkujtuar sakrificat e brezave që themeluan shtetin shqiptar.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit theksoi se Shqipëria, pas më shumë se një shekulli si shtet i pavarur, ka krijuar një imazh serioz në arenën ndërkombëtare dhe është bërë një partner i besueshëm i fuqive rajonale dhe botërore.
Ai nënvizoi se vendi ka nevojë për një kulturë politike të re, ku çdo reformë ka rëndësi, çdo institucion ka përgjegjësi dhe çdo qytetar ka rol.
“Ne kemi nevojë për një kulturë politike të re, të fokusohemi te prioritetet tona kombëtare që e çojnë vendin përpara. Në këtë rrugëtim europian çdo reformë ka rëndësi, çdo institucion ka përgjegjësi dhe çdo qytetar ka rol,” u shpreh Begaj.
Presidenti i kushtoi një rëndësi të veçantë diasporës shqiptare, duke e cilësuar atë si një urë të fuqishme me botën.
“Është zemra jonë që rreh larg, detyra jonë si shtet është t’i dëgjojmë, t’i përfshijmë dhe t’u krijojmë hapësira reale pjesëmarrjeje. Pavarësia matet me cilësinë e shërbimeve publike, me drejtësinë funksionale, me mundësinë që u ofrojmë të rinjve dhe dashurinë për atdheun. Këto janë sfidat që na bashkojnë – pavarësisht bindjeve tona politike,” tha ai.
Duke iu referuar sfidave të kohës, Begaj theksoi se bota po ndryshon me shpejtësi dhe arkitektura globale po rifigurohet, ndaj Shqipëria duhet të tregojë vendosmëri dhe vizion të qartë.
Ai vuri në dukje se vendi ka fituar besueshmëri si kontribuues në paqe, siguri dhe dialog, duke mbetur një aleat i besueshëm për partnerët euroatlantikë.
“Ne jemi krenar për lidhjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fatet tona u ndanë kundër dëshirës tonë, sot fati i Shqipërisë dhe i Kosovës dhe i gjithë shqiptarëve në rajon është në duart tona. Çdo arritje e Kosovës dhe e komuniteteve shqiptare në rajon është krenari për ne. Sot kudo ku jetojnë shqiptarët është ditë feste. Është koha të jemi bashkë, të mbështesim zhvillimin e komuniteteve shqiptare dhe të punojmë që çdo shqiptar brenda e jashtë vendit të ndihet pjesë e një kombi që ecën përpara,” u shpreh presidenti.
Begaj rikujtoi amanetin e të parëve, duke theksuar se identiteti, shteti dhe liria janë themelet e Pavarësisë.
“113 vjet më parë, të parët tanë na lanë një amanet të çmuar: të ruajmë identitetin, të forcojmë shtetin dhe të mbrojmë lirinë. Na duhet guximi i Vlorës i vitit 1912,” tha ai.
Në mbyllje të fjalës së tij, presidenti theksoi se Shqipëria ka ecur shumë, por ka ende për të bërë.
“Të punojmë shumë, të ndërtojmë vendin që ne të krenohemi. Detyra jonë është që të çojmë amanetin në një nivel tjetër. Detyra jonë është që ta bëjmë këtë vend europian dhe më të guximshëm. Ta gëzojmë për jetë Ditën e Flamurit. Ta nderojmë për jetë Flamurin Kuq e Zi. Lavdi për jetë për Kombin Shqiptar,” përfundoi Presidenti i Republikës, Begaj.

