Një hetim gjyqësor në Kretë ka zbuluar një skemë tronditëse trafiku njerëzor dhe shfrytëzimi të grave. Sipas dosjeve gjyqësore, bëhet fjalë për një “industri të fshehtë foshnjash”, të organizuar, ku gratë shiheshin si mjete prodhimi, të izoluara dhe të kontrolluara në çdo hap.
Gratë rekrutoheshin nga Ukraina, Rumania, Moldavia, Gjeorgjia dhe Shqipëria, dhe u premtohej një mundësi për një jetë më të mirë. Në realitet, ato futeshin në një sistem të mbyllur ku gjithçka funksiononte si linjë prodhimi: mbledhje të vezëve, terapi hormonale, transport në klinika, ndjekje 24 orë, lëvizje të detyruara nga një banesë në tjetrën dhe rregulla të rrepta që duhej t’i respektonin pa asnjë kundërshtim.
Fëmijë deri në 120 mijë euro
Anëtarët e grupit kriminal u jepnin fëmijë jo vetëm çifteve, por edhe meshkujve të vetëm, praktikë e ndaluar rreptësisht nga ligji për nënën surrogate. Fitimi arrinte deri në 120 mijë euro për çdo rast, shumë që mbulonte të gjithë procesin deri në dorëzimin e foshnjës.
Shfrytëzimi i grave si dërguese vezësh
Në fazën e parë, gratë trajtoheshin si dërguese vezësh. Ato vinin në Kretë në kushte të vështira ekonomike dhe pa mbështetje, të joshura nga një pagesë shumë më e ulët se ajo që parashikon ligji. Hetimi tregon se atyre u bëheshin injeksione hormonale për 10-20 ditë dhe më pas iu merreshin vezët shpesh pa kontrollet e nevojshme mjekësore. Për të fshehur praktikat e paligjshme, bëheshin regjistrime të rreme në sistemin elektronik të Autoritetit Kombëtar të Riprodhimit të Asistuar Mjekësor.
Nga dërguese vezësh në nëna surrogate të izoluara
Faza e dytë dhe më fitimprurëse ishte përdorimi i të njëjtave gra si nëna surrogate. Ato vendoseshin në banesa të kontrolluara në Hanía, pa dokumente identifikimi dhe me numra telefoni të ndryshuar, për t’u mohuar çdo mundësi ikjeje apo kontakti me botën jashtë. Gratë jetonin të izoluara, pa qasje në mjekë të pavarur dhe pa ditur që proceset ku përfshiheshin ishin të paligjshme.
Për të maskuar aktivitetin, grupi hartonte dokumente të falsifikuara, depozitonte aplikime në zona të ndryshme të Greqisë dhe shpesh përdorte të njëjtën grua në aplikime të ndryshme për çifte të ndryshme. Vendimet gjyqësore që merreshin shërbenin si “mbulesa ligjore” për të vazhduar praktikën deri në dorëzimin e fëmijës.
Epidemia e ndërhyrjeve të rreme mjekësore
Hetimi zbulon gjithashtu se disa gra që hynin në klinikë për procedura IVF narkotizoheshin dhe i nënshtroheshin procedurave të rreme. Edhe kur nuk kishte vezë apo embrione, gjatë kontrollit u dokumentua se stafi prezantonte të dhëna të rreme dhe pretendonte se kishte kryer transferime embrionesh. Gratë që kërkonin ngrirje embrionesh siguroheshin se embrionet ruheshin në bankë kriokonservimi – gjë që nuk ekzistonte.
Dosjet gjyqësore përshkruajnë një shkelje të plotë të çdo norme të etikës mjekësore dhe të ligjit. Një biznes i mirëfilltë trafiku dhe shfrytëzimi të grave, ku vezët, shtatzënat dhe foshnjat trajtoheshin si produkte tregu, ndërsa gratë si mjete të konsumueshme. Elementi më tronditës: fëmijët përfundonin edhe te persona që nuk plotësonin asnjë kusht ligjor.
Në pritje të vijimit të procesit gjyqësor, autoritetet greke flasin për një nga rastet më të rënda të trafikimit për qëllime riprodhuese të zbuluara ndonjëherë në vend.

