Një situatë alarmante është denoncuar sot në Real News, ku qytetarët raportojnë mënyrën skandaloze se si tregtohet qumështi në vitin 2025, në kundërshtim të plotë me çdo standard të sigurisë ushqimore.
Në fotot e dërguara nga qytetarët, shihet qumështi i papërpunuar teksa mbushet në bidona plastikë buzë rrugës, nga bagazhi i një furgoni, në kushte tërësisht të pasigurta dhe të pambrojtura nga ndotja. Më pas, ky qumësht transportohet e përfundon në dyqane, ku shitet në bidona plastikë, pa etiketë, pa datë prodhimi, pa datë skadence dhe pa asnjë garanci për konsumatorin.
Në një prej dyqaneve të fotografuara, dallohet një enë e madhe plastike ku qytetarët mbushin vetë qumështin, ndërsa dyshemeja është e mbuluar me njolla qumështi të derdhur. Bidonët e vendosur nëpër karroca shiten bashkë me produkte ushqimore të tjera, sikur të ishin produkte të certifikuara.

Qytetarët shprehen të indinjuar:
“Skandaloze si tregtohet qumështi në 2025. A ka garanci ky që e shet? Kush mban përgjegjësi nëse sëmuret dikush?”

Ekspertët e sigurisë ushqimore paralajmërojnë se tregtimi i qumështit në kushte të tilla paraqet rrezik serioz për shëndetin, pasi qumështi i papasterizuar mund të përmbajë baktere si E.coli, Salmonella, Listeria dhe mikrobe të tjera që shkaktojnë helmime të rënda ushqimore.

Ndërkohë, autoritetet përgjegjëse pritet të reagojnë për këtë situatë, pasi mungesa e kontrollit dhe standardeve po rrezikon drejtpërdrejt konsumatorët.

