Byroja Kombëtare e Hetimit ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama i cili mëngjesin e kësaj të diele, në hyrje të podkstit “Flasim” tregoi se disa agjentë të BKH-së, të cilëve iu referua si “trimosha”, kishin trokitur në derë dhe nuk pranuan të dorëzonin armët, sipas rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës.
Nga ana e saj, BKH ka sqaruar se më 20 nëntor 2025, tre hetues ishin paraqitur në Këshillin e Ministrave për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që parashikonte pezullimin nga detyra të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në hyrjen e brendshme, hetuesit u informuan nga Garda e Republikës se nuk lejohej hyrja me armë zjarri brenda ambientit dhe iu dha mundësia të depozitonin armët në dollapët e posaçëm të sigurisë. Pas verifikimit të kushteve të sigurisë, hetuesit depozituan armët dhe vijuan procedurat pa ndonjë debat apo përplasje.
BKH thekson se e drejta e hetuesve për mbajtjen e armëve mbështetet në ligjin nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, që parashikon qartësisht pajisjen e oficerëve të Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të BKH-së, me armë zjarri për ushtrimin e detyrave të tyre.
REAGIMI
Në përgjigje të kërkesave dhe interesit të medias lidhur me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaron sa më poshtë:
Më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku.
Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.
Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.
Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.
E drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet tek ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, parashikon shprehimisht se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi për përdorimin e tyre.

