TË FUNDIT

GJKKO merr vendimin, drejtoresha e AKSHI-t mbetet në “arrest në shtëpi”

Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për drejtuesen e AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe për zvendësen e saj, Hava Delibashi.

Për zyrtarin e Policisë së Tiranës, Erion Ismailaj, ka shfuqizuar masën e “ndalimit të daljes jashtë vendit”, por ka lënë të pandryshuar “pezullimin nga detyra”.

Për tre të dyshuarit e tjerë Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat “ndalim të daljes nga vendi”.

Më 16 dhjetor, Prokuroria e Posaçme pati lëshuar 8 masa sigurie për zyrtarë e biznesmenë, përfshirë edhe Karçanajn dhe zëvendësen e saj, Hava Delibashi. Për të dyja, është caktuar masa e “arrestit në shtëpi”, për akuzat, e “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike“, “Grup i strukturuar kriminal“, “Kryerje veprash nga organizata kriminale”.

Ndërkohë, masa e “arrestit në burg” është lëshuar për dy biznesmenë, ende pa ekzekutuar. SPAK ka kërkuar pezullim nga detyra të zv.drejtorit të Policisë Tiranë, Erion Ismaili dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Masa e fundit i u hoq sot nga GJKKO.

Gjithashtu masë sigurimi është kërkuar edhe për administratorë të disa kompanive të cilët me veprime të kundërligjshme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione kundrejt kompanive të cilat nuk ishin pjesë e procesit të tenderimit.

Shtetasit e dyshuar, ka sqaruar Prokuroria e Posaçme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë kryer veprime të kundërligjshme, konkretisht në përcaktimin e kritereve specifike jo të përcaktuara në ligj, për favorizimin e disa kompanive kundrejt të tjerave.

Në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, ata kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat