TË FUNDIT

Tender me flamur të kuq, cilat janë kompanitë që dyshohet se përfituan nga vendimet e Ballukut

Tenderi i lotit të katërt të Unazës së Madhe u hap dhe u mbyll për tre muaj nga vartësit e Belinda Ballukut, Autoriteti Rrugor Shqiptar. Tenderi u hap më 16 gusht 2021, fituesi u shpall më 6 tetor dhe kontrata u lidh më 21 nëntor. Bisedat e zv. kryeministres me vartësit e saj, të zbuluar njëjtë si me tenderin e Tunelit të Llogarasë nga dekriptimi i telefonave, tregojnë se fituesi ka qenë i paracaktuar.

Tenderi është fituar nga një bashkim i tre 3 operatorëve, “Euroteorema Peqin” shpk – “Pe-Vla-Ku” sh.p.k – “Nova Construction 2012” shpk. Oferta e tyre ka qenë sa 95% e fondit limit të tenderit, pra e kanë fituar ndërtimin e lotit të katërt me 19.9 mln euro pa TVSH, ndërkohë që fondi limit ishte rreth 21 mln euro.

Të dhënat e publikuara në OpenCorporates.al dhe Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë se shoqëria “Euroteorema Peqin” sh.p.k, me administrator Giovanni Pascale operon në fushën e ndërtimit, prodhimit të asfaltit dhe transportit, ndërsa “PE-VLA-KU”  sh.p.k me administrator Vladimir Pjetërgjokaj dhe “Nova Construction 2012” sh.p.k me administrator Enea Kaçi e Basri Troci ndërsa themelues Ilir Shtufi dhe Kujtim Shtufi kanë aktivitet kryesor ndërtimet civile, industriale dhe infrastrukturore.

 “Nova Construction – 2012” shpk është në pronësi të Ilir Shtufit, i cili është ortak i një kuote në masën e 91% të vlerës së kapitalit të kësaj.

Në faqen e prokurimit publik, tenderi rezulton me flamur të kuq, për dy arsye: janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues, duke përfshirë edhe ato me ofertat më të ulëta.

Mes 8 kompanive konkurruese tre kanë pasur ofertë më të ulët: ALB – STAR që ka dhënë 16.8 milionë euro, BOE “CURRI” dhe “VELLEZERIT HYSA” dhe  “BE – IS” që kanë ofruar ndërtimin e lotit të katërt me 17.4 milionë euro dhe KEVIN CONSTRUKSION që kërkoi vetëm 15.9 milionë euro. Të treja janë përjashtuar me argumentin se nuk plotësonin kriteret teknike të tenderit.

Kompanisë fituese i janë dhënë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave 267.6 pikë, ndërsa mesatarja e gjithë të tjerave ka qenë 89.2 pikë.

Pra, një fitues që shpallet me një procedurë shumë të shpejtë, një fitues dhe 7 konkurrues që s’kualifikohen, mes tyre edhe 3 oferta shumë më të ulëta. Nëse do të ishte shpallur fitues një kompani tjetër, përveç asaj që SPAK dyshon se Balluku kishte paracaktuar, taksapaguesit shqiptarë mund të shpëtonin disa miliona euro.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat