Nga viti 2015 deri në vitin 2025, gjithsej 30 824 shtetas shqiptarë kanë emigruar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes programit Diversity Visa, i njohur ndryshe si llotaria amerikane.
Të dhënat statistikore tregojnë se viti me numrin më të lartë të emigrimeve përmes këtij programi ka qenë 2018, kur 4 484 shqiptarë përfituan kartën e gjelbër dhe u zhvendosën drejt SHBA-së. Ky vit shënon kulmin e emigrimit ligjor të shqiptarëve përmes këtij mekanizmi gjatë dekadës së fundit.
Programi Diversity Visa ka shërbyer prej vitesh si një nga rrugët kryesore të emigrimit ligjor për qytetarët shqiptarë, duke u dhënë mundësi mijëra individëve dhe familjeve për të ndërtuar një jetë të re në Shtetet e Bashkuara.
Ditën e sotme administrata e Presidentit amerikan Donald Trump njoftoi pezullimin e përkohshëm të programit Diversity Visa, me qëllim rishikimin e kritereve të sigurisë dhe politikave të emigracionit. Vendimi pritet të ndikojë edhe aplikantët nga Shqipëria, të cilët prej vitesh kanë qenë ndër përfituesit e rregullt të këtij programi, duke krijuar paqartësi për vijimësinë e aplikimeve në periudhën në vijim.

