TË FUNDIT

Fotoja e arushës me katër këlyshë në Kukës ngjall dyshime për vërtetësinë, i riu që pretendon që i fotografoi: Është reale

Fotoja e publikuar e arushës së bashku me katër këlyshët e saj në fshatin Kolesjan ka ngjallur reagime të shumta dhe dyshime nëse bëhet fjalë për një moment real apo për një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale.

Krijuesi digjital Niki Ismalja, publikuesi i fotos, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Në kohë reale” e moderuar nga Flori Gjini, pohoi se fotoja është reale.

“Isha me babin dhe po shkoja në vendlindje. Gjatë rrugës pashë arinjtë. Unë vetë rri në Kukës dhe fshati quhet Kolosjan. Më ka ndodhur edhe herë të tjera t’i shoh”, tha ai.

I pyetur nga moderatori Flori Gjini se si u ndje për vëmendjen e madhe që mori fotoja, Ismalja u shpreh i surprizuar.“Nuk e mendova kurrë që do të merrte kaq shumë vëmendje. Ishte befasi për mua, por është shumë bukur që njerëzit e kanë ndjekur.”

Megjithatë, fotoja është vënë në dyshim nga disa media dhe platforma verifikimi. Sipas një sistemi online për detektimin e imazheve të krijuara me inteligjencë artificiale, rezulton se ka 93 për qind mundësi që fotoja të jetë e gjeneruar me IA, ndërsa vetëm 7 për qind që të jetë reale.

Janë ngritur dy elemente kryesore që e bëjnë foton të dyshimtë: mungesën e gjurmëve në terren dhe faktin që një arushë rrallëherë shoqërohet nga më shumë se tre këlyshë. 

Megjithatë, Ismalja vijon të insistojë se bëhet fjalë për një moment real, të kapur rastësisht gjatë udhëtimit.

“Fotoja është shumë e vërtetë edhe pse mediat nuk ndalen. Vetëm se nuk munda t’i bëja video, sepse po t’i shikosh ata, janë duke më parë në sy”, tha ai.

Debati mbi vërtetësinë e fotos mbetet i hapur, ndërsa rasti ka rikthyer edhe një herë në vëmendje diskutimin mbi besueshmërinë e imazheve në epokën e inteligjencës artificiale.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat