Një fëmijë 1-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e tymit në një shtëpi që është përfshirë nga zjarri në qendër të Prizrenit, derisa tre fëmijët e tjerë kanë shpëtuar dhe po marrin trajtim mjekësor.
Specialisti i Emergjencës në Spitalin e Prizrenit, Hekuran Veçgishti tha se gjendja e tre fëmijëve që shpëtuan nga zjarri është stabile dhe nën monitorim, derisa fëmija i katërt kishte arritur në spital pa shenja jete.
“Rreth ora 10:25 në emergjencën e spitalit të Prizrenit, është sjell pa shenja jete nga një shtëpi që është kapluar nga flaka. Në emergjencë është konstatuar vdekja e fëmijët nga ky rast. Po ashtu dhe tre fëmijë janë sjell në repartin e pediatrisë, ata aktualisht janë duke vazhduar trajtimin në repartin e pediatrisë…ata kanë pas intoksikim prej tymit që ka qenë nga flaka…sipas mjekëve gjendja e tyre është stabile dhe janë nën monitorim”, tha ai.
Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi deklaroi se ndonëse shkaqet e këtij zjarri ende nuk dihen, dyshimet janë se zjarri u shkaktua nga energjia elektrike apo ndonjë pajisje, raporton media e Kosovës Telegraf.

