Gjykata e Shkodrës ka lënë në qeli katër autorët e dyshuar të ngjarjes në Shkodër, ku mbeti i vrarë 67-vjeçari Hysni Ymeri.
Togat e zeza kanë lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Gerti Bushatin, i cili akuzohet se ka qenë personi i cili vendosi eksplozivin në pallatin ku jetonte Ymeri. Në deklaratën e tij, i riu ka pranuar se ka qenë ai personi që vendosi tritolin dy ditë para ngjarjes.
Po ashtu, në burg janë lënë edhe shtetasit Gjergj Zefin, Ergys Ibrahimin dhe Edison Hasajn, të dyshuar si bashkëpunëtorë në vrasjen e Hysni Ymerit me tritol. Ata nuk e kanë pranuar ngjarjen dhe kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me vendosjen e eksplozivit, ndërsa policia ka sekuestruar telefona, dhe prova të tjera që i implikojnë.
Autori i vendosjes së tritolit, Gert Bushati, ka pranuar autorësinë teksa ka theksuar se ishte mashtruar dhe se i ishte thënë se eksplozivi do të përdorej vetëm për të trembur dikë, jo për ta vrarë. Sipas tij presonat të cilën e kontaktuan dhe ja dhanë këtë detyrë kanë qenë pikërisht Zefi, Ibrahimi dhe Hasaj.
“Kur kam mësuar se ka vdekur shtetasi Hysni Ymeri jam tmerruar. Nuk kam patur dijeni për vrasje vetëm për të trembur dikë. Shtetasit Gjergj Zefi, Edison Hasaj dhe Ergys Ibrahimi më kanë kontaktuar për këtë punë dhe e kam pranuar. Tritolin e kam vënë me datë 27 dhjetor por pa e ditur se bëhej fjalë për vrasje”, ka thënë ai ndër të tjera, ndërkohë që pagesa për të katërt ka qenë rreth 1 mijë euro.
Hetimet kanë treguar se tritoli ishte vendosur edhe më parë pa shpërthyer, ndërsa hera e dytë, më 27 dhjetor, shpërtheu dhe shkaktoi vdekjen e Hysni Ymerit. Të katër të arrestuarit akuzohen për vrasje me paramendim në bashkëpunim, shkatërrim prone me eksploziv, armëmbajtje pa leje, si dhe akuza të tjera penale. Motivi i vrasjes mbetet ende i paqartë dhe policia po heton disa pista.

