Katër grupe komisionesh verifikimi kanë dalë paraditen e sotme në terren në fshatin Ferras për të konstatuar dhe verifikuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit. Procesi po zhvillohet si brenda ashtu edhe jashtë argjinaturës, në kuadër të fazës së parë të evidentimit të pranisë së ujit dhe pasojave të tij në banesa.
Sipas të dhënave paraprake nga komisionet në terren, deri më tani janë evidentuar rreth 120 banesa të prekura. Dëmet nuk kufizohen vetëm brenda ambienteve të brendshme të shtëpive, por përfshijnë gjithashtu oborre, magazina, pajisje bujqësore dhe infrastrukturë ndihmëse. Në shumë raste, uji ka depërtuar në banesa duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Fillimisht, puna e komisioneve ka nisur në zonën brenda argjinaturës, ku situata paraqitet më problematike për shkak të qëndrimit të ujit për disa orë. Më pas, verifikimet do të vijojnë edhe në banesat e dëmtuara nga vërshimi i ujit mbi kanalin e Martines, ku prurjet e shtuara kanë dalë nga shtrati duke përmbytur zona të tëra banimi.
Komisionet po dokumentojnë çdo rast me procesverbale, fotografi dhe të dhëna të detajuara, të cilat do t’u shërbejnë institucioneve përkatëse për hartimin e raportit përfundimtar dhe vlerësimin e masave të nevojshme për ndihmë dhe dëmshpërblim.
Ndërkohë, procesi i verifikimit ka nisur mes debateve. Kryeplaku i fshatit Ferras, Zani Hyka, pretendon se verifikimi i dëmeve nuk po kryhet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë banorët e prekur.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se procesi do të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa u bëhet thirrje banorëve të bashkëpunojnë me komisionet dhe të raportojnë çdo dëm të shkaktuar nga përmbytjet. Situata në zonë mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa strukturat e emergjencave janë në gatishmëri.

