Prej katër ditësh, rreth 250 banorë të fshatit Bashaj janë të izoluar, pas rrëshqitjes së dherave dhe gurëve në shpatin e malit, e cila ka dëmtuar rrugën kryesore të fshatit. Për pasojë, banorët nuk kanë mundësi të lëvizin dhe presin ndihmë nga forcat xhenio për pastrimin e rrugës.
Bashkia e Selenicës ka ndërhyrë vetëm për pastrimin e pjesëve të bllokuara, pa mundur të rivendosë apo fortifikojë rrugën, duke lënë fshatin në një gjendje të vështirë.
Për shkak të mungesës së ndërhyrjes së pushtetit lokal, banorët kanë nisur të hapin vetë rrugën, duke përdorur forcat dhe materialet e tyre personale, për të krijuar një vendkalim minimal dhe për t’u shpëtuar nga izolimi.

