Pas fjalimit të mbajtur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti amerikan Donald Trump ka folur në një bashkëbisedim për situatën globale, duke u ndalur veçanërisht te lufta në Ukrainë dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Kievit dhe Moskës.
Trump u shpreh se fillimisht kishte menduar se konflikti do të ishte i lehtë për t’u zgjidhur, por sipas tij, situata është komplikuar nga urrejtja e thellë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. “Ka shumë urrejtje mes Putinit dhe Zelenskyt. Kjo nuk është e mirë. Është një urrejtje jo normale,” deklaroi Trump.
Ai theksoi se si Rusia ashtu edhe Ukraina duan një marrëveshje dhe se SHBA po përpiqet të ndërmjetësojë për arritjen e saj. “Jemi afër. Në shumë momente kemi qenë shumë pranë një marrëveshjeje me Rusinë, por më pas Zelensky refuzon, ose ndodh e kundërta. Është shumë e vështirë të ruash balancën,” u shpreh presidenti amerikan.
Presidenti amerikan bëri të ditur se pritet të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë ditës, duke shtuar se palët ndodhen në një moment kyç për arritjen e një pakti. “Janë në një pikë ku mund të bëjnë një marrëveshje. Nëse nuk e bëjnë, janë budallenj, dhe kjo vlen për të dyja palët,” u shpreh Trump, duke shtuar se beson që ata nuk janë të tillë, por se refuzimi i një marrëveshjeje do të ishte një gabim i rëndë.

