TË FUNDIT

“Përgatitjet kishin nisur prej muajsh, jo nga video e Priftit”, Meta nxjerr ‘të vërtetat’ për 21 Janarin: Oferta e Ramës për t’u bërë unë kryeministër. Ja sms kërcënues

Ish-presidenti dhe kreu i PL-së, Ilir Meta, ka publikuar nga burgu një reagim të gjatë, ku sjell versionin e tij për ngjarjet e 21 Janarit 2011, duke i cilësuar ato si të parapërgatitura dhe jo si reagim spontan ndaj videos së publikuar më 11 janar të atij viti. Në videon në fjalë që solli dhe reagimet dhe protestën e dhunshme, shfaqej Meta dhe Dritan Prifti ku flisnin për shifrën e majme prej 700 mijë euro. Në deklaratën e tij, Meta shprehet se heshtja e njerëzve me integritet ndihmon, sipas tij, “falsifikatorët e historisë” dhe akuzon ish-drejtues institucionesh, politikanë dhe analistë për përhapje gënjeshtrash dhe standarde të dyfishta morale. Sipas Metës, protesta e 21 Janarit nuk ishte pasojë e menjëhershme e publikimit të videos, por ishte planifikuar muaj më parë. Ai pretendon se kishte informacion paraprak për përgatitjen e një “revolte të dhunshme”, përfshirë rekrutimin e elementëve kriminalë për përplasje me policinë.

Meta rikujton se pas publikimit të videos, më 12 janar 2011, hoqi dorë nga imuniteti parlamentar dhe ftoi Prokurorinë të hetonte çështjen. Ai thekson se më pas dha dorëheqjen e parevokueshme nga postet e zv/kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, një javë para protestës së 21 Janarit, për të mos qenë në detyrë në rast përshkallëzimi të situatës. Në deklaratë, Meta rrëfen edhe episodet e shantazhit që pretendon se ka përjetuar nga ish-zyrtarë dhe ndërmjetës, përfshirë oferta politike që ai thotë se i ka refuzuar kategorikisht. Ai pohon se ka informuar në kohë kryeministrin e atëhershëm Sali Berisha për këto zhvillime.

Duke iu referuar dhunës së 21 Janarit, Meta deklaron se protestuesit socialistë, sipas tij, nuk ishin ata që sulmuan Kryeministrinë, por persona të rekrutuar, të cilët për orë të tëra u përplasën me forcat e rendit, derisa situata përfundoi në përdorimin e armëve nga Garda e Republikës. Ai kritikon ashpër institucionet ligjzbatuese për mosparandalimin e dhunës, pavarësisht paralajmërimeve, dhe Prokurorinë për mënyrën si u trajtua hetimi i videos, duke pretenduar se ekspertizat ishin të gabuara dhe të njëanshme.

Meta kujton gjithashtu se Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm me vendim unanim 5–0 dhe se, sipas tij, edhe relatori i çështjes votoi në favor të pafajësisë, pavarësisht presioneve politike. Në përfundim, Meta e cilëson videon e publikuar në janar 2011 si një montazh të përdorur si “alibi politike” dhe thotë se katër qytetarë të pafajshëm “e paguan me jetën e tyre” përdorimin politik të saj.

REAGIMI I METËS PËR 21 JANARIN
Kur njerëzit me integritet nuk i thonë të vërtetat, veçse ndihmojnë falsifikatorët e historisë të legjitimojnë gënjeshtrat e tyre. Jo vetëm kaq, por edhe detyrohen të dëgjojnë leksione për “standarde morali” nga njerëz që me moral kuptojnë vetëm borderonë ku paguhen (në të bardhë apo të zezë). Akoma më keq kur dëgjon gënjeshtra nga ish-drejtues institucionesh që mbajnë përgjegjësi për veprimet apo mashtrimet kur ishin në detyra shtetërore apo qeveritare.
𝐋𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐧𝐢𝐬𝐢𝐦 𝐦𝐞 𝟐𝟏 𝐉𝐚𝐧𝐚𝐫𝐢𝐧 𝟐𝟎𝟏𝟏 Dëgjova edhe një gazetar të njohur se kur atëherë për 700 mijë euro u bë name në 21 Janar, tani duhet të bëhet hataja kur flitet me dhjetëra milion euro, etj. (Kjo është përmbledhje sintetike e imja) Nëse populli vërtet do ishte revoltuar për atë montazh të stërprovuar më 11 Janar do kishte dalë që atë natë në rrugë (siç ka ndodhur në Hungari e vende të tjera). Ja maksimumi ditën tjetër. Por 21 Janari ndodh vetëm 10 ditë pas publikimit. Ndërkohë përgatitjen për 21 Janarin kishin nisur muaj më parë.

Pas një viti në krye të Ministrisë së Jashtme, pasi kishim përmbyllur me sukses çështje madhore si vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, si edhe liberalizimi i vizave pas takimit vendimtar të Sarajevës, por edhe pas zmbrapsjes së Projekt-Rezolutës së Serbisë në OKB kundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ramë dakord me Kryeministrin Berisha, për të bërë rokadë brenda 2 ministrive që drejtonte Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI). Arsyeja kryesore ishte jo vetëm se unë i kisha përmbushur objektivat kryesorë në MPJ, por edhe se e kisha të pamundur të drejtoja në mënyrë efektive LSI-në, ndërkohë që po afronin zgjedhjet vendore. Në një vit kisha kaluar gati 170 ditë jashtë shtetit. Këtë vendim ia komunikova edhe zotërisë me të cilin do bëja rokadën.

Edhe pse i palumtur ai i mirëkuptoi argumentat e mia. Por çuditërisht pasdite më mbërrijnë nja 2 sms të tij, ku më thoshte se nuk ishte dakord me këtë rokadë dhe se duhej ta vlerësoja edhe njëherë këtë ide se përndryshe ai kishte përgjime me mua. Kaq mjaftoi që ai të “shkarkohej” pa u propozuar. Këto mesazhe të tij ia kalova forward Kryeministrit Berisha dhe i bëra të qartë që ky nuk mund të ishte Ministër i Jashtëm dhe i propozova Z. Edmond Haxhinasto, më një përvojë të çmuar diplomatike. Kështu që shantazhi u shpërblye me shkarkim dhe jo me “negociata”.

Disa javë më vonë shantazhisti bëri të penduarin duke më kërkuar falje në celular dhe po kështu edhe takim i cili u zhvillua te “Piazza”. Pasi kërkoi falje për “nxitimin” më solli një ofertë “fantastike” nga Edi Rama. Thelbi i ofertës ishte që unë të bëhesha Kryeministër dhe ta bënim Qeverinë sipas dëshirës tonë dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të na mbështese pa kushte. “O shoku, – e pyeta, “unë si do jem Kryeministër me 4 deputetë?” Unë kisha mbi 60 deputetë si Kryeministër dhe u largova vetë se nuk mund të pranoja kushtet e pakicës parlamentare të Fatos Nanos.

Në fund, shantazhisti më tha se nëse unë bëhesha Kryeministër ai nuk do t’i nxirrte përgjimet. Kuptohet që këtu biseda mbaroi “me sukses” sepse “i penduari” u bë recidivist. Pak ditë më vonë një pronar mediash që ishte mik i përbashkët më kërkoi takim urgjent te “Rogneri”. Kujtova se kishte ndonjë hall të tij, por ai kishte merakun tim. Më tregoi një foto ku isha unë me shantazhistin në zyrën e këtij të fundit. “Çfarë urgjence ka kjo?”, – e pyeta unë. “Ma tha ai, – më tha pronari i medias, “dhe do e publikojë përgjimin nëse nuk e pranon propozimin”.

“Faleminderit prej teje, – i thashë, “por i thuaj atij të publikojë ç’të dojë dhe kur të dojë”. Natyrisht shantazhisti duke menduar se unë e merrja për bllof kërcënimin e tij më kishte çuar lajmësin për të më treguar “provën” se nuk bënte bllofin. Por si njeri i përgjegjshëm që e di shumë mirë se çfarë firmos, por edhe se çfarë them në çdo rrethanë, isha shumë i qetë dhe i sigurt se asgjë implikuese nuk mund të kishte në bisedat e mia. Për të gjitha këto, natyrisht kam informuar Kryeministrin Berisha. Ndërkohë kisha marrë masat për zëvendësimin e tij si deputet, me deputet të Partisë Socialiste, në kohën që ai do të “dezertonte” nga shumica jonë. Po kështu, gjatë Dhjetorit 2010 dhe fillim Janarit 2011, gati 90% të kohës e kalova në krye të Komitetit Qeveritar për Emergjencën për shkak të përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë. Natyrisht edhe për shkak të lidhjeve të mia personale edhe me deputetë e funksionarë të Partisë Socialiste në këto dy zona, u informova për porositë që kishin marrë për të përgatitur njerëzit, që të bëheshin gati për një revolt të paparë, sepse do plaste një superskandal në media në fillim të Janarit. Kështu, që montazhi i 11 Janarit nuk ishte aspak i papritur për mua dhe disa të tjerë. Menjëherë në 12 Janar, në mëngjes, i nis një shkresë zyrtare Kryetares së Kuvendit, ku e njoftoja se hiqja dorë nga imuniteti im. Pas këtij veprimi, dola në konferencë shtypi në Ministrinë e Ekonomisë, ku bëra publik heqjen dorë nga imuniteti si deputet dhe e ftoja Prokurorinë të hetonte rastin dhe po kështu iu përgjigja çdo pyetje të gazetarëve. Ndërkohë, ditën tjetër, më 13 Janar, pranova ftesën e gazetarit të njohur, Blendi Fevziu, për të dalë në “arenë” me një panel analistësh që do i zgjidhte ai.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat