TË FUNDIT

Administrata Trump braktis strategjinë “moho dhe sulmo”, Shtëpia e Bardhë nën presion nga vrasja në Minneapolis

Anthony Zurcher – BBC

Administrata Trump ka hequr dorë shpejt nga strategjia e saj e zakonshme “moho dhe sulmo”, të cilën e përdori fillimisht pas vrasjes së Alex Pretti nga agjentë federalë në Minneapolis, të shtunën në mëngjes, 24 janar.

Brenda 24 orësh, ndërsa në rrjetet sociale nisën të qarkullojnë video të shumta nga momenti i incidentit, u bë e qartë se Shtëpia e Bardhë ishte në kundërshtim të hapur me perceptimin publik dhe me atë që amerikanët mund të shihnin vetë me sytë e tyre.

Që prej asaj kohe, administrata, përfshirë edhe vetë presidentin, ka ndryshuar qasje, duke ia atribuar përgjegjësinë demokratëve dhe duke u fokusuar më pak te veprimet e infermierit amerikan që u vra.

Nga ana tjetër, demokratët kanë shtuar kritikat ndaj politikës së deportimeve masive dhe taktikave agresive të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE), duke hyrë në një përplasje politike që mund të çojë në një tjetër mbyllje të pjesshme të qeverisë që të premten.

Të hënën në mëngjes, Zëvendës-Prokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, e përshkroi situatën si një “fuçi baruti”. Edhe pse ai fajësoi demokratët, shumë nga të dy krahët e spektrit politik amerikan bien dakord se situata aktuale është jashtëzakonisht e rrezikshme.

Reagimi fillestar i administratës ndaj vdekjes së Pretti-t ishte i drejtpërdrejtë. 37-vjeçari u portretizua si një terrorist i vendosur për të shkaktuar gjakderdhje.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, deklaroi se Pretti synonte të “shkaktonte dëm” dhe se po “mbante armë”. Komandanti i Patrullës Kufitare, Gregory Bovino, tha se situata dukej si një rast ku një individ donte të “shkaktonte dëme maksimale dhe të masakronte forcat e rendit”.

Këshilltari i lartë presidencial, Stephen Miller, e quajti Pretti-n një “vrasës të mundshëm”.

Megjithatë, ndryshe nga praktika e zakonshme e Shtëpisë së Bardhë për të reaguar ashpër ndaj kritikave, zëdhënësja Karoline Leavitt refuzoi të përsëriste deklaratat e Miller-it, kur u pyet nëse presidenti ndante të njëjtin qëndrim. Ajo tha se do të zhvillohej një hetim i plotë.

Ky ishte një ton dukshëm më i përmbajtur krahasuar me reagimin fillestar pas të shtënave.

Qasja e parë i ngjante asaj të ndjekur tre javë më parë, kur forcat federale vranë një tjetër banore të Minneapolis-it, Renee Good, e cila u cilësua gjithashtu si terroriste që kishte “armatosur” automjetin e saj për të plagosur agjentë të ICE.

Ashtu si në rastin Good, edhe versioni i qeverisë federale është kundërshtuar nga autoritetet lokale, dëshmitarët okularë dhe familja e viktimës.

Prindërit e Pretti-t kërkuan që e vërteta të dalë në dritë, duke shtuar se “gënjeshtrat e neveritshme të thëna për djalin tonë nga administrata janë të papranueshme dhe të turpshme”.

Video të shumta nga incidenti i së shtunës hedhin poshtë shumë nga pretendimet fillestare të administratës. Pamjet tregojnë Pretti-n duke filmuar agjentët e ICE me telefonin e tij dhe duke ndihmuar një grua që shtyhet përtokë, përpara se të dy të spërkaten me sprej lotsjellës. Në asnjë moment ai nuk shihet duke mbajtur armë, kur shtrihet përdhe nga agjentët.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare pretendon se Pretti kishte një pistoletë gjysmë-automatike 9 mm dhe dy karikatorë municioni. Policia lokale ka konfirmuar se ai ishte pronar i ligjshëm i armës. Sipas ligjit të Minesotës, qytetarët mund të mbajnë ligjërisht armë të fshehur në publik, me leje përkatëse.

Këtë herë, narrativa fillestare e administratës u bë shumë shpejt e vështirë për t’u mbajtur.

“Publiku e ka humbur durimin”, tha shefi i Policisë së Minneapolis-it, Brian O’Hara, duke theksuar se oficerët e tij kanë kryer qindra arrestime të personave të dhunshëm vitin e kaluar pa përdorur armë zjarri. “Kjo situatë nuk është e qëndrueshme.”

Edhe brenda radhëve republikane ka nisur shqetësimi. Guvernatori republikan i Vermontit, Phil Scott, e quajti ndërhyrjen federale në Minesota “një dështim të plotë të koordinimit, praktikave të sigurisë publike, trajnimit dhe udhëheqjes”. Në skenarin më të keq, sipas tij, bëhet fjalë për “frikësim dhe nxitje të qëllimshme të qytetarëve amerikanë”.

Senatori republikan nga Utah, John Curtis, kritikoi reagimin “të parakohshëm” të Noem-it, duke thënë se deklaratat u bënë “pa u njohur të gjitha faktet” dhe se kjo dëmtoi besimin ndaj misionit të forcave të rendit.

Kryetarët e komisioneve për sigurinë kombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat kanë njoftuar se do të mbajnë seanca dëgjimore publike.

Që nga e diela në mbrëmje, është vënë re një ndryshim i dukshëm toni nga Shtëpia e Bardhë. Sekretari për Çështjet e Veteranëve, Doug Collins, shprehu ngushëllime për familjen Pretti. Trump e quajti vdekjen “tragjike” në një postim në Truth Social, por ia atribuoi atë “kaosit të shkaktuar nga demokratët”, një mesazh i përsëritur edhe nga zëvendëspresidenti JD Vance.

Të hënën, Trump njoftoi se po dërgonte në Minnesota “carin e kufirit”, Tom Homan, për të drejtuar përpjekjet e zbatimit të ligjit. Homan, i cili ka menaxhuar deportime edhe gjatë administratës së Barack Obama-s, shihet si një figurë më e matur dhe politikisht më e kujdesshme.

“Tom është i drejtë dhe do të raportojë drejtpërdrejt tek unë“, shkroi Trump.

Edhe pse kjo lëvizje nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të politikës, ajo sinjalizon një ndryshim në mënyrën e komunikimit, në një kohë kur sondazhet tregojnë se opinioni publik po bëhet gjithnjë e më kritik ndaj mënyrës si po zbatohet goditja ndaj emigracionit.

Prokurori i Përgjithshëm i Minnesota-s, Keith Ellison, tha për BBC se përfshirja e Homan-it mund të krijojë një kanal të ri bashkëpunimi me administratën federale. Një tjetër shenjë zbutjeje erdhi kur Trump njoftoi se kishte folur me guvernatorin demokrat të Minnesota-s, Tim Walz.

Kjo përfaqëson një ftohje të dukshme të toneve pas javësh shkëmbimesh të ashpra mes dy liderëve dhe mund të paralajmërojë një de-përshkallëzim të situatës në Minnesota.

Megjithatë, për demokratët në Washington kjo mund të mos mjaftojë. Ata kanë njoftuar se do të bllokojnë paketën e financimit për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, çka mund të çojë në një mbyllje të pjesshme të qeverisë që të premten në mbrëmje.

“Do të votoj kundër çdo financimi për DHS derisa të vendosen kontrolle më të forta për të mbajtur ICE përgjegjëse”, tha senatori Brian Schatz nga Hawaii. “Këto incidente të përsëritura dhune janë të paligjshme, të panevojshme dhe na bëjnë të gjithëve më pak të sigurt.”

Edhe kjo lëvizje mbart rreziqe politike për demokratët, të cilët më parë kanë nxitur një mbyllje rekord të qeverisë pa arritur rezultate domethënëse.

Për më tepër, emigracioni dhe rendi publik mbeten fusha ku ata rezultojnë më të dobët në sondazhe.

Aktualisht, si republikanët ashtu edhe demokratët po përpiqen të menaxhojnë një situatë që është shndërruar në tejet shpërthyese.

Në lojë është perceptimi publik për politikën e emigracionit të Trump-it, një çështje kyçe politike për presidentin dhe një nga faktorët që e ndihmuan të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat