Mbetet ende mister se si mundi Altin Ndoci të dalë nga dhoma e infektivit, një ambient i posaçëm për të dënuarit që shkojnë për ndihmë mjekësore në spitalin e Durrësit.
Pasi doli nga ambientet e spitalit, 39-vjeçari u përball me dy efektivë policie, me të cilët u përplas dhe i shtyu.
Më pas vrapoi drejt parkimit, ku e priste një makinë e bardhë Audi, me të cilën u largua.
Ndërkohë, kanë dalë pamjet kur Altin Ndoci, i dyshuar për vrasje e grup kriminal sillet në spitalin e burgut me duar të lira pa pranga dhe ecën i lirë dhe i pashqetësuar mes policëve. Këta të fundit e ndiqnin të shpenguar.
Për arratisjen e Ndocit është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit. Mes tyre edhe drejtori i burgut, Indrit Cerloj, shefi i Policisë dhe zyrtarë të tjerë.
Janë pezulluar edhe punonjësit e stafit mjekësor dhe efektivët që e shoqëronin Ndocin.
Ndoci është një personazh i njohur i botës së krimit, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale.

