Ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj është arrestuar ditën e sotme. Shkarkimi i Cërlojt u firmos të mërkurën nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, një ditë pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, i cili u largua gjatë një shoqërimi për kontroll mjekësor në spitalin e qytetit.
Ndërkohë që vlen të theksohet se që të mërkurën është pezulluar nga detyra i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës.
Verifikimet paraprake kanë zbuluar se institucioni nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore të të paraburgosurit, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.
Po ashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde të shoqërimit të të paraburgosurve dhe të dënuarve.

