TË FUNDIT

Arratisja e Altin Ndocit, pezullohet i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës: Nuk u respektuan procedurat për shoqërimin e të burgosurit

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar lidhur me ngjarje  e ndodhur një ditë më parë, më 13.01.2026 në Spitalin Rajonal Durrës, ku i paraburgosuri Altin Ndoci arriti të arratisej gjatë një vizite mjekësore.

Sipas Drejtorisë, shkak i arratisjes ishte mosrespektimi i procedurave standarde të shoqërimit dhe mungesa e informimit të strukturave përkatëse.

Si pasojë, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës dhe janë ndërmarrë masa ligjore ndaj disa punonjësve të policisë së burgjeve dhe stafit shëndetësor.

Altin Ndoci  i shpëtoi policisë teksa ishte duke kryer disa vizita mjekësore. Ai po trajtohej për një infeksion në mushkëri, kur kërkoi të shkonte në tualet. Por befas, gjatë shoqërimit, ai goditi punonjësin e sigurisë i cili ishte i vetëm dhe më pas doli me shpejtësi nga pavioni.

Në parkim e priste një makinë “Audi A7”, targat e të cilit rezultojnë të jenë denoncuara të vjedhura pak ditë më parë.

Autorët që ndihmuan në arratisjen e Ndocit planifikuan në detaje planin.

Deklarata e plotë e Drejtorisë së Burgjeve

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Spitalin Rajonal Durrës, më datë 13.01.2026, ku është arratisur i paraburgosuri Altin Ndoci, sqarojmë sa vijon:

Shtetasi Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20.05.2020, me masë sigurimi “arrest me burg”. Me vendimet Nr. 82, datë 21.07.2020; Nr. 42, datë 17.05.2022; dhe Nr. 86, datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal, të parashikuara nga nenet 79/dh, 278/1, 28/1, 28/4, 333 dhe 334 të Kodit Penal.

Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë.

I paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset.

Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.

Nisur nga të dhënat paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, konkretisht:

  • z. Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;
  • z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;
  • z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);
  • znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
  • z. Aulon Quku – Kryeinfermier;
  • z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.

Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm:

  • Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
  • Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon me marrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjore dhe administrative, si dhe me forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat