TË FUNDIT

Arsenal armësh dhe flamur i ISIS në Orosh, policia jep detaje nga operacioni 12 orësh në Pukë, Uka dhe Cumraku qëlluan drejt policisë

Policia e Shtetit ka dhënë detaje zyrtare për operacionin e koduar “Oroshi”, i zhvilluar në fshatin Orosh, Fushë-Arrëz, ku pas 12 orësh rrethim u vetëdorëzuan dy persona të armatosur që kërcënuan dhe qëlluan ndaj forcave të rendit.

Operacioni u koordinua nga Komisariati i Policisë Pukë, strukturat e DVP Shkodër, Drejtoria e Antiterrorit dhe Forcat Speciale RENEA.

Sipas njoftimit, ngjarja nisi rreth orës 09:00 të datës 24 nëntor, kur shërbimet e Policisë konstatuan një person që, sapo pa efektivët, u fut me shpejtësi në një banesë të braktisur. Personi refuzoi t’u bindet urdhrave të Policisë dhe nisi t’i kërcënojë ata me armë, duke detyruar rrethimin e zonës dhe thirrjen e forcave të specializuara.

Në momentin kur RENEA iu afrua banesës dhe kërkoi dorëzimin, nga brenda u qëllua me armë zjarri në drejtim të tyre. Për më shumë se 12 orë, forcat speciale ushtruan presion të vazhdueshëm dhe zhvilluan negociata me të afërmit e tyre, derisa dy personat brenda godinës vendosën të dorëzoheshin.

Në dorëzim, shtetasi Erzen Uka, 35 vjeç, kishte një plagë tejshpuese në kofshë dhe u transportua menjëherë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Bashkë me të u arrestua edhe Julian Cumraku, 34 vjeç.

Gjatë kontrollit të banesës, Policia sekuestroi një arsenal armësh, përfshirë 4 armë automatike, një pistoletë, 17 granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës. Në murin e banesës u gjet edhe një flamur i Organizatës Terroriste “ISIS”.

Të dy të arrestuarit rezultojnë të dënuar më herët: Erzen Uka për “Nxitje të urrejtjes dhe grindjeve”, ndërsa Julian Cumraku për “Vjedhje” dhe “Kanosje”.

Ata do të hetohen për disa vepra penale, përfshirë:

– “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për vepra me qëllime terroriste”,

– “Prodhimi i armëve luftarake”,

– “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”,

– “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”.

Materialet i janë dërguar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat