Kreu i PD, Sali Berisha jashtë Kuvendit ka hedhur akuza ndaj Altin Dumanit, ndërsa seanca plenare ishte pushim për shkak se PS kërkon ndërprerjen e saj në rast se opozita nuk tërhiqet nga kërkesa e saj që pyetjet për krerët e drejtësisë ti lexojë në sallë. Berisha tha se ky është skenar për të kyçur Kuvendin.
“Ose të pranoni të hiqni dorë nga pyetjet me gojë ose do votohen pa lexim raportet e kryetarëve të drejtësisë. Çfarë ka në këtë propozim. Ka skenarin e kyçje së parlamentit. Nuk ka opozitë në botë që mund të pranojë të bëjë një Pazar të tillë, nëse ti do ti vësh kyçin, vërja që nesër, opozita nuk heq dorë nga e drejta kushtetuese për pyetje. Këta kërkojnë të bëjnë interpretim që u leverdis se janë në kompromis krimi me ata që kanë ardhur të raportojnë, prandaj gjejnë një pretekst se si e si ti imponohemi opozitës që të mbyllim Kuvendin.
Në shumë raste pyetje nuk bëhen fare, deputetët, opozita e gjykon të arsyeshme mos të bëjë pyetje dhe kjo ka ndodhur. Pyetjet me shkrim janë një normë për ti dhënë mundësi të pyeturit që të përgatitet, por kjo nuk përjashton as të drejtën e pyetjes me gojë pasi të lexojë raportin. Këta janë në frikë dhe tmerr”, tha Berisha. Kreu i PD nuk mund t’i shmangej pyetjes nëse po shmanget përballja e tij me Dumanin. E këtu Berisha lëshoi akuzat për kreun e SPAK duke e quajtur mercenar e armik të pluralizimit. Më tej, Berisha tha se është kthyer në avokat të Lubisë, duke iu referuar njoftimeve se zv.kryeministrja Belinda Balluku ishte thirrur në SPAK.
“S’kam asgjë personale, ato çfarë kam patur i kam thënë Dumanit. Unë këtu kam hallin e qytetarëve, nëse kërkojnë të bëjnë pyetje thjesht për të mbrojtur interesat e qytetarëve. Këto ditë po gumëzhin Tirana se po bëhet avokat i Lubisë. Pyetjet e mia kanë të bëjnë me faktin se sa ka kthyer kjo prokuroi nga 1 mld euro të plaçkitura nga qeveritarët te qytetarët shqiptarë. Është armik i pluralizmit, mercenar i Ramës që vitin elektoral sulmon opozitën dhe i vë në arrest shtëpie, arrest burg, ndjekje penale, në mënyrë që partia e krimit dhe ia vetë të fitojnë zgjedhjet”, tha Berisha.

