Lideri i opozitës, Sali Berisha ndodhet këtë të enjte në Kavajë, me rastin e 35-vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike atje.
Gjatë fjalës së tij, para qytetarëve të Kavajës, Berisha tha se kishte një ultimatum për kryeministrin Edi Rama, të cilin e konsideroi si “armikun më të keq” të shqiptarëve.
Ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të mos pengojë drejtësinë duke iu referuar hetimeve të Prokurorisë së Posaçme SPAK ndaj disa zyrtarëve të lartë në raste korrupsioni si dhe të japë dorëheqjen.
“Kurrë shqiptarët nuk janë vjedhur nga qeveritarët siç janë vjedhur këto dhjetë vite dhe tani ka vendosur të bllokojë drejtësinë. Kam zgjedh Kavajën, t’i jap një ultimatum. Mos guxo të mbrosh me votat e rrëmbyera hajdutët e qeverisë, sepse ne që në vitet ‘90-të u ngritëm me një motiv të shenjtë për të mbrojtur lirinë, përsëri jemi në këmbë, përsëri jemi të gatshëm, me motivin ‘Ja të vdesim, ja të rrojmë për lirinë’. Ndaj dhe nga Kavaja i bëj thirrje: Mos pengo drejtësinë, largohu nga pushteti, sepse je sjellë ndaj shqiptarëve si armiku më i egër në tërë historinë e tyre. Asnjë pushtim, asnjë diktaturë, asnjë regjim, nuk ka përzënë në vetëm dhjetë vite, 1 milionë e 100 mijë shqiptarë, vetëm në zonën Shengen.”, tha Berisha, duke u bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta.
“Rama qëndron në pushtet, jo se është trim, jo se ka mbështetje, por ai qëndron në pushtet se nuk ngrihemi ne”, shtoi ai.
Ai shtoi se ishte sakrifica e qytetarëve të Kavajës, që hodhi themelet e pluralizmit në vend.
“Ne mblidhemi sot në 35-vjetorin e themelimit të degës së PD-së në Kavajë. Në të vërtetë, PD dega Kavajë formalisht u themelua më 17 dhjetor 1990 në darkë vonë, duke u gdhirë data 18. Por e vërteta është se ishte Kavaja, ishte sakrifica, burrëria e trimëria e qytetarëve të Kavajës që hodhën themelet e pluralizmit.
Të dashur miq, lëvizja antikomuniste në Kavajë ishte lëvizja antikomuniste më e fuqishme në Shqipëri. Pas qëndrimeve, demonstrimeve antikomuniste të janarit, erdhi kryengritja e fuqishme paqësore e marsit në Kavajë, në të cilën ra për të, për të mbetur i pavdekshëm heroi i parë i demokracisë shqiptare, Josif Buda”, tha Berisha gjatë fjalës së tij.
Ai vazhdoi të akuzojë më tej kryeministrin Rama dhe mazhorancën socialiste për farsë elektorale, duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

