Ditën e sotme, në seancë plenare, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tregoi pse opozita u tërhoq nga zgjedhja e Avokatit të Popullit.
Berisha tha se opozita veproi në përputhje me Kushtetutën dhe Komisionin e Ligjeve.
Berisha: E keqja banale e kombit jeni ju. E keqja banale e kohës jeni ju. Pse i them këto? Ky parlament ka një Komision Ligjesh, këtë Komision Ligjesh e kryeson një ish-ministër i juaj. Në garën e Avokatit të Popullit, një ditë ky mbledh komisionin dhe vendos në mënyrë të diskutueshme, me të drejtë apo pa të drejtë, nuk mund të them, që për kandidatët për Avokat të Popullit do ketë deputeti të drejtë vetëm për një firmë. Ky është një vendim i një komisioni, që ligji dhe Kushtetuta e ngarkon për shqyrtimin dhe për organizimin e procedurës së votimit të Avokatit të Popullit. Ai është kryetar komisioni.
Tjetër puna se e keqja banale e shndërron atë në hiç. Ne zbatuam vendimin e Komisionit të Ligjeve. Në përputhje me vendimin e Komisionit të Ligjeve, ne bëmë shkresën dhe tërhoqëm të gjitha firmat. Dhe, thashë edhe njëherë, deputeti mund të vendosë një firmë për një kandidat, për të tjerë mund të vendosë shumë, por vendimi i Komisionit të Ligjeve ishte i qartë, nuk pranohen sepse janë vendosur firma, i njëjti deputet ka firmosur disa kandidatë.
Ndërsa deputeti demokrat Belind Këlliçi theksoi se “PD nuk merr pjesën në këtë farsë sa kohë nuk tërhiqet emri i Endri Shabanit”, duke theksuar se synimi është që Avokati i Popullit të merret nga PS.
Belind Këlliçi: E kemi bërë të ditur me shkrim qëndrimin tonë mbi këtë proces. Jeni njoftuar për tërheqjen e të gjitha firmave për të gjitha kandidaturat që kanë paraqitur për të garuar për pozicionin e avokatit të popullit. Është edhe lepuri i Surrelit, që po çon deri në fund skenarin e kësaj maxhorance të paralajmëruar javë më parë se Avokatin e Popullit do e merrte PS, e kanë thënë socialistët. Qëndrimi ynë është i prerë, asnjë nga 26 kandidaturat nuk i ka firmat e deputetëve të PD. PD nuk merr pjesën në këtë farsë sa kohë nuk tërhiqni emrin e Endri Shabanit. Kandidaturat tona janë Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni.

