Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me marrjen peng dhe dhunimin e 27-vjeçarit në Tiranë, ku tre persona janë shpallur në kërkim ndërsa dy prej të cilave janë vajza. Policia ka shpallur në kërkim Klajdi Limani, Monika Marku dhe Suate Cenoaliaj.
Sipas njoftimit të policisë, Suate Cenoaliaj kishte pasur një lidhje dashurie me 27-vjeçarin, por njëkohësisht edhe me një nga të arrestuarit, Lusjan Kimza, i cili dyshohet të jetë ideatori i pengmarrjes.
Pasi Kimza zbuloi se e dashura e tij komunikonte përmes mesazheve me 27-vjeçarin, ai bashkë me personat e tjerë planifikoi një skemë për ta kërcënuar dhe për t’i marrë para. Në këtë plan u përfshi edhe Monika Marku, e cila kontaktoi me viktimën dhe e ftoi për të pirë një kafe.
Të rinjtë kishin marrë një apartament me qira përmes platformës Airbnb, ku Monika u takua me 27-vjeçarin. Ndërkohë, në tualetin e apartamentit ishin fshehur djemtë, të cilët më pas dolën dhe e dhunuan fizikisht të riun, duke i kërkuar një shumë prej 5 mijë eurosh.
I riu u mbajt peng për disa orë dhe më pas u detyrua të shkonte në shtëpi për të marrë shumën e kërkuar, të cilën ia dorëzoi autorëve. Më pas, ata i kërkuan sërish shumën prej 5 mijë eurosh duke e shantazhuar dhe kërcënuar.
Për shkak të plagëve dhe dhunës së ushtruar, 27-vjeçari u paraqit në spital për të marrë mjekim, ku mjekët njoftuan policinë.
Agjentët bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes pas deklarimeve të tij, ndërsa dhënia e parave prej 5 mijë eurosh për herë të dytë u bë me anë të stimulimit për të identifikuar dhe arrestuar personat përgjegjës.

