TË FUNDIT

Dosja ‘Plumbi i Artë’/ Shtyhet seanca më 3 shkurt, shkak mungesa e Nuredin Dumanit

Mungesa e njërit prej të pandehurve, si edhe e mbrojtësit të tij ligjor, u bë shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore në kuadër të procesit “Plumbi i Artë”.

Gjatë seancës, avokati Sokol Hazizaj, i cili në këtë proces përfaqëson të pandehurin Gentian Sharra, i kërkoi trupit gjykues shoqërimin e detyrueshëm të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Sipas mbrojtjes, kjo kërkesë lidhet me faktin se procesi ndodhet në fazën e dhënies së deklarimeve nga i pandehuri Henrik Hoxha, çka do të mundësonte ballafaqimin mes dy personave.

Kërkesa u kundërshtua nga SPAK, i cili argumentoi se nuk ndodhemi përpara kundërthënieve në deklarime dhe, për rrjedhojë, nuk ekzistojnë kushtet ligjore për shoqërimin e detyrueshëm. Prokuroria i kërkoi gjykatës rrëzimin e kërkesës.

 

Avokati Hazizaj e paraqiti kërkesën pasi Nuredin Dumani nuk ka marrë pjesë në disa nga seancat e fundit të këtij procesi gjyqësor.

Gjykata e Posaçme vlerësoi se, në këtë fazë, nuk plotësohen kushtet ligjore për shoqërimin e detyrueshëm të bashkëpunëtorit të drejtësisë, por theksoi se do të shprehet në një moment të mëvonshëm lidhur me këtë kërkesë.

Seanca e radhës u shty për në datën 3 shkurt, ora 10:00.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat