TË FUNDIT

Dumani zbardhi botën e errët të krimit! Mijëra euro për “një kokë”, çmimet marramendëse të vrasjeve

Dosja “Plumbi i Artë”, e konsideruar si një nga sagat më të rrezikshme të krimit të organizuar në Shqipëri, ka qenë në qendër të diskutimeve në emisionin “Në kohë reale” në RTSH, duke ekspozuar çmimin e ulët të jetës njerëzore në tregun e vrasjeve me pagesë.

Në prani të moderatorit Flori Gjini, avokatit Kujtim Ibraj dhe gazetarit Marsel Vocaj, u zbuluan detaje tronditëse nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Çmimi i vdekjes dhe vrasjet makabër

Sipas të dhënave të raportuara nga moderatori Gjini, Dumani ka dëshmuar për rreth 10 vrasje me pagesë të kryera mes viteve 2011 dhe 2020. Avokati Ibraj detajoi një nga rastet më makabër: vrasjen e Fatmira Dedës, ku jeta u “shkëmbye” me 50,000 euro.

Detajet e vrasjes

“Për vrasjen e Fatmira Dedës janë dhënë 50 mijë euro, ku 30 mijë euro i ka marrë Talo Çela, 20 i ka marrë vetë Dumani. Talo Çela e ka vrarë me thikë dhe e ka ndjekur deri te garazhdi. Vrasja është bërë për çështje pronësie. Edhe prona u mor, edhe nëna dhe djali u vranë nga ata që i morën pronën,” theksoi avokati Ibraj, duke e cilësuar këtë si një nga vrasjet më makabre.

Sipas Ibrajt, çmimet për ekzekutime varionin nga shuma “qesharake deri tek ato të mëdha, në varësi të personit që do të vritej,” duke e zhvlerësuar plotësisht vlerën e njeriut.

Një nga kritikat kryesore të ngritura ishte performanca e institucioneve në të kaluarën. Avokati Ibraj deklaroi se: “Policia e Shtetit në atë kohë u tregua e mefshtë,” duke nënkuptuar se shumë ngjarje, veçanërisht në trekëndëshin kriminal Fushë Krujë-Durrës-Elbasan, nuk ishin zbardhur përpara pendimit të Dumanit.

Ndërkohë, gazetari Vocaj theksoi se dosja “Plumbi i Artë” nuk varet vetëm nga dëshmia e Dumanit. “Është edhe Erion Alibej i penduar. Është edhe Henrik Hoxhaj një tjetër i penduar,” shpjegoi Vocaj, duke shtuar se tre të penduarit janë në paraburgim të veçuar (313), pa lejuar kontaktet mes tyre.

Pavarësisht progresit, Ibraj vlerësoi punën e SPAK, por paralajmëroi: “Duhet ende pak kohë për të hetuar për të zbardhur gjithë sagën e vrasjeve. Jemi në fazën e përplasjeve në gjykatë, të cilat janë shumë të ashpa. Thëniet e të penduarve duhen faktuar me prova sepse ka pasur raste që të penduarit kanë gënjyer.”

Dosja “Plumbi i Artë” vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes së drejtësisë, me mbi 10 persona të akuzuar, ndërsa procesi gjyqësor pritet të jetë i gjatë dhe sfidues për t’i vendosur provat kundrejt dëshmive të të penduarve.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat