Tre ngjarje kriminale, tre viktima brenda tre orëve. Ky është bilanci i tmerrshëm i ditës së sotme. Arma e krimit në të tre rastet është thika. Një prej ngjarjeve, krim brenda familjes, ku djali i ri vrau të atin. Nga Durrësi në Tiranë dhe më pas në Berat, sjellim një përmbledhje të këtyre ngjarjeve kriminale që tronditën vendin.
Mesditën e sotme, 25-vjeçari Marjan Kodheli, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, vrau me thikë babain e tij pas një konflikti të çastit në shtëpi. Pjetër Kodheli 69 vjeç nuk i mbijetoi sulmit dhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Autori i krimit u arrestua nga policia pas ngjarjes.
Rreth orës 15:30 sipas policisë, në Komunën e Parisit në Tiranë shënohet një tjetër ngjarje fatale. Picieri Filip Shehu pas një konflikti, ka qëlluar kuzhinierin Indrit Ismaillari me thikë. Ky i fundit, ndërroi jetë rrugës për në spital. Autori i cili u prangos nga policia, ka pretenduar para grupit hetimor se Indrit Ismaillari e bullizonte.

