TË FUNDIT

Erion Veliaj firmos urdhrin e parë për Tiranën, kërkon zbukurimin e kryeqytetit, nuk lë “pas dore” as Ministritë

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili me vendim të Kushtetueses u kthye sërish në detyrën e qytetarit të parë të Tiranës ka firmosur nga qelia urdhrin e parë.

Veliaj ka kërkuar nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për festat e fundvitit në Tiranë. Sipas dokumentit zyrtar, Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve do të marrë masat për vendosjen e ndriçimeve dhe zbukurimeve festive në sheshe, rrugë dhe hapësira publike, “duke respektuar standardet më të larta të sigurisë, si edhe kriteret teknike dhe estetike të përcaktuara për këtë qëllim”.

Në urdhër theksohet gjithashtu se, në zbatim të vendimit nr. 420, datë 8 qershor 2006 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, do të merren masa për dekorimin e godinave të ministrive sipas kërkesave të institucioneve përkatëse.

Kujtojmë se më 3 nëntor, 5 vota pro dhe 3 kundër brenda Gjykatës Kushtetuese i dhanë të drejtë Erion Veliajt të rimarrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Pas një beteje jo të shkurtër, Erion Veliaj ia doli në Kushtetuese, duke rrëzuar kështu vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretin e Presidentit Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Veliaj theksoi se vendimi i marrë nga Kushtetuesja i ktheu dinjitetin votës së lirë dhe ligji në vend. Ai u shpreh se Gjykata ka rivendosur besimin se “shteti ka busull” dhe se e drejta, ndonëse mund të vonojë, asnjëherë “nuk harron”.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte një vendim për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket, popullit të Tiranës. Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij. Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull. E drejta mund të vonojë, por nuk harron”, shkruan Veliaj ndër të tjera.

Ndër rreshta, Veliaj falenderoi qytetarët e Tiranës për mbështetjen dhe durimin gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se do të vijojë punën për kryeqytetit dhe nuk do të lejojë asnjë pengesë në ushtrimin e mandatit që i është besuar nga vota e tyre.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat