TË FUNDIT

Familjarët e 15-vjeçarit deklaruan se ikën dritat gjatë operacionit, reagon Spitali i Durrësit

Spitali Rajonal i Durrësit ka reaguar pas deklaratave të familjarëve të 15‑vjeçarit Erjon Boba, të cilët pretenduan se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale që iu bë të miturit “kanë ikur dritat” në sallën e operacionit. Në një deklaratë zyrtare, spitali mohon një gjë të tillë, teksa sqaron rrethanat mjekësore të rastit.

Sipas reagimit të Spitalit, pas verifikimeve të kryera me të gjithë stafin e përfshirë në operacion, nuk rezulton asnjë ndërprerje.

“Nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë operacionit të pacientit në fjalë. Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme”, thuhet në reagim.

Institucioni deklaron se i mituri është paraqitur në spital në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.

“Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Komplikacionet e zhvilluara janë pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik”, thekson spitali.

15-vjeçari u plagos me thikë në pjesën e gjoksit, pak pas mesditës së 25 nëntorit, vetëm 20 minuta në këmbë nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësonin të dy nxënësit e përfshirë në konflikt. Fatkeqësisht ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marrra dhe ndërroi jetë ditën e djeshme (4 dhjetor), ndërsa u përcoll sot drejt banesës së fundit. Burimet policore thanë se sherri nisi nga një koment në rrjetet sociale dhe ofendimeve të vazhdueshme në shkollë, të cilat më pas degraduan në plagosje me thikë. Më 27 nëntor Gjykata e Durrësit konfirmoi masën e arrestit me burg për autorin 14-vjeçar me inicialet M.K.

Deklarata e Spitalit Rajonal Durrës

Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të miturit E.B, i cili humbi jetën informojmë opinionin publik se pacienti është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.

Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Komplikacionet e zhvilluara janë pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik.

Në vijim të publikimeve mediatike mbi pretendimin se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Rajonal Durrës “kanë ikur dritat”, sqarojmë opinionin publik si më poshtë:

Pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë operacionit të pacientit në fjalë.

Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme.

Gjithashtu, ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe të mbuluar me kontratë aktive mirëmbajtjeje, me mekanizma ndërhyrjeje të menjëhershme në rast defektesh.

Spitali Rajonal Durrës është i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor dhe bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e ngjarjes.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat